Rama-Veliaj prezantojnë projektligjin për zejtarinë: Mundësi për punësim

Shqipëria

Rama-Veliaj prezantojnë projektligjin për zejtarinë: Mundësi për punësim

Më: 28 prill 2015 Në ora: 12:05

Veprimtaria në fushën e zejeve do të organizohet me ligj. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ka hartuar një projektligj i cili për herë të parë synon nxitjen e zhvillimit të zejtarisë nëpërmjet formimit të zanateve dhe përgatitjes së mjeshtërve dhe ndihmesave, si një kërkesë e standardeve të tregut të punës.

Drafti është prezantuar sot në një takim të veçantë, ku merrte pjesë kryeministri Edi Rama, ministri i MSR-së, Erion Veliaj dhe kreu i “Biznes Albania”, Luan Bregasi.

Në fjalën e tij kryeministri Rama vuri theksin se, edhe ky projektligj vjen në drejtimin e duhur pasi kërkon të krijojë një mundësi më shumë për ata të rinjë që kërkojnë një punë të sigurt.

“E pra arsimi profesional është një nga përgjigjet e duhura në drejtimin e duhur, duke u hapur të rinjve dhe të rejave një mundësi të re, një korsi të re dhe për t’u thënë se për të patur nesër një punë, mësoni një zanat dhe se nëpërmjet zanatit do kesh gjithmonë në dorë një mundësi që se kanë të tjerët, qoftë për t'u punësuar diku, qoftë për të hapur një biznes tëndin”, tha kryeministri Rama.

Më tej ai shtoi se, e keqja më e madhe për Shqipërinë ka qenë varfëria e aspiratave. “Kemi vendosur ta shikojmë të vërtetën në sy, kemi vendosur të përballemi me kancerin e shtrirë në të gjithë sektorët dhe të ushqyer nga varfëria e aspiratave. Kemi vendosur të mos i mbajmë shqiptarët me gënjeshtra dhe me sheqerin e gënjeshtrave, por bashkë me ta të ndajmë të vërtetën e madhe se vetëm ilaçi i hidhur, i të vërtetave mund ta shërojë këtë vend dhe mund ta kthejë këtë vend të rrënuar në një vend të begatë”, shtoi kryeministri Rama.

Ndërsa, ministri Veliaj në fjalën e tij vuri theksin se politika e ndjekur nga qeveria gjatë këtyre 18 muajve ka qenë që t’u dhënë të rinjve një zanat të certifikuar, i cili do jetë nesër një garanci më shumë për një punë.

“Ne kemi marrë vendime dhe ligje që po na çojnë në drejtimin e duhur, sa i përket punësimit, arsimit profesional. Më vjen mirë që edhe ky ligj i zejeve do jetë një ndihmë për sipërmarrës dhe shoqata biznesi, por edhe për të gjithë ata që duan të futen në tregun e punës, pasi është mirë që të jesh mjeshtër i diçkaje, sesa çirakë i gjithçkaje. Besoj se po bëjmë një zgjedhje në drejtimin e duhur. Më vjen mirë që një nga punët e fundit në ditët e fundit të ministrisë është ky ligj i zejeve, për të ndihmuar sa më shumë njerëz që të punësohen”, tha ministri Veliaj.

Fokusi i projektligjit është rregullimi i ushtrimit të veprimtarisë zejtare, aftësimit dhe kualifikimit profesional në këtë fushë, si dhe organizimi i subjekteve zejtare nëpërmjet krijimit të Dhomës Kombëtare të Zejtarisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat