Doshi: Rama ka braktisur PS-në, po i shërben vetëm Metës

Shqipëria

Doshi: Rama ka braktisur PS-në, po i shërben vetëm Metës

Më: 28 prill 2015 Në ora: 11:21

Deputeti Tom Doshi deklaroi pas vendimit të Gjykatës së Lartë, që e la atë në ‘detyrim paraqitje’, se nuk është i kënaqur me vendimin.

“Unë jam i pakënaqur, pasi asnjë nga akuzat nuk ekziston, pavarësisht se prokurori i përgjithshëm, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri po bëjnë presion që të mos jem i lirë.

Nuk do të shkoj në Kuvend, po pres çfarë do bëjë prokuroria. Kur të shkoj, do mbaj një fjalim që ta marrin vesh gjithë shqiptarët të vërtetën,” tha ai.

Më pas Doshi hodhi akuza ndaj Ramës.

“Rama po shijon pushtetin dhe ka braktisur socialistët, ai po i shërben vetëm Ilir Metës dhe LSI. Ai tha se nuk i intereson rezultati i zgjedhjeve lokale,” tha Doshi.

Tom Doshi u shpreh se i qendron deklaratave të tij për Metën.

“I qendroj deklaratave dhe do vazhdoj deri në fund derisa të zbardhet kjo çështje”.

Më herët, avokati i Doshit, Vladimir Meçi, u shpreh: “Gjykata vendosi rrëzimin e masës. Natyrisht nuk jemi të kënaqur me vendimin e gjykatës, edhe pse mendojmë se është një lajm i mirë. Kjo ka të bëjë me vetë sistemin e drejtësisë dhe do ishte lajm i mirë nëse gjykata do zbatonte ligjin pasi besimi tashmë është tek organet e drejtësisë. Gjykata demonstroi se është nën presionin dhe trysninë e politikës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat