Reforma në Arsimin e Lartë, Meta: Strategji që garanton besueshmërinë

Shqipëria

Reforma në Arsimin e Lartë, Meta: Strategji që garanton besueshmërinë

Më: 28 prill 2015 Në ora: 08:23

Kryetari i Kuvendit mbështet projektligjin për Arsimin e Lartë dhe e sheh atë si “një sistem, i cili garanton që çdo diplomë që merret të jetë e merituar, në mënyrë që t’i shërbejë tregut të punës dhe progresit ekonomik të vendit, por edhe progresit ekonomik e social…Studentët ruajtën rolin e tyre në zgjedhjen e drejtuesve”.

Kryetari i Kuvendit dhe njëkohësisht kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta e cilësoi reformën në Arsimin e Lartë si një rishikim i strategjisë në këtë fushë dhe si një ndryshim që do ta bëjë universitetin të vlefshëm dhe konkurrues. Në një takim ndryshe të zhvilluar dje me studentë dhe të rinj, ku ai u është përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të këtyre të fundit, Meta vuri në dukje se reforma bëhet për të sjellë një “sistem, i cili garanton që çdo diplomë që merret të jetë e merituar, në mënyrë që t’i shërbejë tregut të punës dhe progresit ekonomik të vendit, por edhe progresit ekonomik e social të çdo të riu dhe të çdonjërës prej familjeve tuaja”.

Meta shoqërohej në këtë takim edhe nga dy deputetët e LSI-së, Petrit Vasili dhe Kejdi Mehmetaj, të cilët ishin gjithashtu pjesë aktive e bashkëbisedimit dhe iu përgjigjën pyetjeve të shumta që drejtoheshin nga të rinjtë. Duke iu drejtuar të rinjve, lideri i LSI-së u shpreh se liria e arsimit të lartë duhet të jetë e garantuar, por theksoi se nuk duhet të lejojmë më që të merren diploma fiktive pa shkuar asnjë ditë në shkollë.

Në lidhje me projektligjin për arsimin e lartë, Meta tha se e ka ndjekur debatin që është bërë për këtë draft që është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, aty ku do të zhvillohen edhe diskutimet nëpër komisione parlamentare me praninë edhe të grupeve të interesit.

Gjithsesi, Meta tha se debati për këtë projektligj po zhvillohet për një kohë të gjatë tashmë. “Ka patur reflektime të rëndësishme, ku një prej tyre ka të bëjë me atë që studentët të vazhdojnë të kenë rolin e tyre të rëndësishëm në procesin e zgjedhjes së drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë dhe në disa elementë të tjerë”, – deklaroi kryetari i LSI-së.

Sipas Metës, ky ligj ka të bëjë me një rishikim të politikës sonë për arsimin e lartë, që duhet t’i japë fund të gjithë asaj praktike që ishte shndërruar në një proces jo shumë të besueshëm, gjë që ka cenuar besueshmërinë e arsimit tonë të lartë. Ai theksoi se shumë diploma fiktive kanë cenuar arsimin e lartë dhe se tani kërkohet të ndërtohet një sistem arsimor që të jetë konkurrues. Z. Meta nënvizoi se duhet garantuar që çdo diplomë të jetë e merituar dhe se diplomat duhet të jenë të përshtatshme për tregun e punës.

“Megjithatë, unë besoj se qëllimi i këtij projektligji duhet të kuptojmë, nuk ka të bëjë thjesht me një element të caktuar, por në kompleksitetin e tij, me një rishikim të gjithë politikës dhe strategjisë sonë për arsimin e lartë që duhet t’i japë fund gjithë asaj praktike të deritanishme, e cila kishte shndërruar këtë proces në një proces jo shumë të besueshëm dhe së bashku me diplomat e merituara bashkëjetonin, për të mos thënë që bënin gallatë, edhe diploma fiktive, të cilat kanë cenuar besueshmërinë e arsimit tonë të lartë dhe unë besoj se është në interesin e të gjithë të rinjve.

Është në interesin e prindërve të tyre dhe prindërve tuaj, të cilët investojnë për arsimimin, për edukimin edhe si taksapagues të këtij vendi dhe të këtij shteti që ne të ndërtojmë një sistem të arsimit të lartë, i cili të jetë plotësisht kompetitiv. Të jetë një sistem i cili garanton që çdo diplomë që merret të jetë e merituar, në mënyrë që t’i shërbejë tregut të punës dhe t’i shërbejë progresit ekonomik të vendit, por edhe progresit ekonomik dhe social të çdo të riu dhe të çdonjërës prej familjeve tuaja”, – shtoi z. Meta gjatë bashkëbisedimit.

Në lidhje me kërkimin shkencor, lideri i LSI-së tha se duhet të merret përsipër garantimi i kërkimit shkencor në universitetet publike. Gjithashtu ai shtoi se duhet të ndihmohen edhe universitetet private për kërkimin shkencor. Z. Meta u shpreh se universitetet private duhet të fitojnë statusin si të tilla dhe se qeveria do të angazhohet për të dhënë kontributin në këtë investim.

Ndërkaq, kryetari i LSI-së ka komentuar edhe largimet masive të verifikuara së fundmi në vend, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos largohen, pasi nuk ka shanse që të përfitojnë azil. “Për fat të keq, kemi edhe një aktivizim të rrjeteve kriminale të këtij lloj trafiku përmes dezinformacioneve për të krijuar iluzionin se atje do të pranohen, do të futen në punë, do të çojnë fëmijët në shkollë e kështu me radhë. Ndërkohë që besoj se është bërë e qartë për të gjithë opinionin publik, edhe nga autoritetet këtu, edhe nga autoritetet gjermane që kjo është tërësisht një skemë mafioze dhe nuk ka asnjë gjë të vërtetë.

Prandaj dhe unë do t’u bëja edhe një herë thirrje të gjithëve që të mos bien viktimë e këtyre mashtrimeve, sepse e theksoj edhe një herë, që do të kthehen përsëri në Shqipëri, por do të kthehen më të varfër sesa nisen”, – vijoi z. Meta. Gjithashtu, kryetari i LSI-së theksoi se opozita ka të drejtë kur thotë që situata ekonomike në vend është e vështirë, por ai saktëson se gjendja nuk ka qenë më e mirë edhe para dy viteve dhe se një gjë të tillë ia ka thënë edhe ish-kryeministrit Berisha në atë kohë.

Z. Meta theksoi se pjesa e vështirë e reformave në vend u kalua dhe se tani do fillojnë të ndihen frytet e këtyre reformave. “I kam thënë z. Berisha që më përpara se nuk duhet të paraqesim situatën rozë dhe me eufori, siç për fat të keq paraqitej që Shqipëria ishte vetmja që nuk prekej nga kriza dhe që ecte hap pas hapi me Gjermaninë.

Por të ishim të kujdesshëm, sepse elementët e krizës po rëndoheshin dhe realizimi i financimeve të pajustifikuara, me rritjen ekonomike dhe me rritjen e të ardhurave, sigurisht që do të kishte efekte mjaft rënduese dhe kjo ndodhi, për fat të keq. Pati shpenzime marramendëse, sidomos në prag të fushatës dhe më pas një situatë mjaft kritike, që e detyroi qeverinë e re për të realizuar edhe një program së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar por edhe me Bankën Botërore, për të arritur stabilizimin e financave publike”, – tha ndër të tjera gjatë bashkëbisedimit me studentët kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta.

Në lidhje me kërkimin shkencor, lideri i LSI-së tha se duhet të merret përsipër garantimi i kërkimit shkencor në universitetet publike. Gjithashtu ai shtoi se duhet të ndihmohen edhe universitetet private për kërkimin shkencor. Z. Meta u shpreh se universitetet private duhet të fitojnë statusin si të tilla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat