Reportazh/ Një udhëtim në liqenet e Shkopetit dhe të Ulzës

Shqipëria

Reportazh/ Një udhëtim në liqenet e Shkopetit dhe të Ulzës

Më: 27 prill 2015 Në ora: 23:25

Me rastin e 2-vjetorit të shpalljes së Parkut Natyror Rajonal “Liqeni i Ulzës”, si edhe të festimeve për ditën e Shën Markut, një prej festave tradicionale të qytezës së Ulzës, rrjeti i organizatave për Mbrojtjen e Natyrës, veçanërisht shoqata “Miqësia-Ulëz” dhe Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA), në bashkëpunim me Komunën Ulëz, organizuan disa aktivitete promovuese më datën 25 prill në këtë komunë, për të festuar në një ceremoni të përbashkët në prani edhe të kryetares së Bashkisë të Burrelit, Adelina Farrici dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit lokal.

Ishte edhe një grup gazetarësh që u nisën nga Tirana drejt këtij parku. Qëndresa e parë u bë në hyrje të Shkopetit, në një lokal të thjeshtë buz liqenit me një bukuri natyrore të rrallë.Për çudi rruga nga Tirana në Shkopet nuk e kalonte më shumë se 60 minuta. Banakieri Aleks Maçi na priti me buzëqeshjen karakteristike të malësorit që i do dhe i respekton bujtësit. Na qiti kafe e raki vendi dhe filloi të na fliste për bukuritë e rralla të zonës së vet. Vërtet ishte bukur. Përball kishim një liqen të qetë me ujë të pastër dhe në krah ngriheshin dy shkëmbinj tepër të lartë që formonin portën e hidrocentralit të Shkopetit.

– “Ja atje, sipër atij shkëmbi në krah të djathtë ndodhet kalaja e Skënderbeut, atje kanë qenë dhe kullat e të parëve të shkopmi”, – tregonte Aleksi, që mua më dukej tepër modern ky emër për këto thellësi dhe vazhdoja ta thërrisja Lekë. Ai qeshte dhe e pranonte këtë emër. Pastaj Leka tregonte për ditët e sotme, për parkun natyror, për ringjalljen e jetës në këto anë, të natyrës, turizmit..

-Lek, e pyeta – A vijnë turistë në këto anë?

“Po, shumë, kryesisht nordik”, – më tha. Gjermanë, austriakë, zvicerianë, suedezë…- Po ç’bëjnë?- vazhdoja ta pyesja.

– Ooo, kënaqen, më tregonte Leka. Iu duket sikur janë në landet e tyre këtej, ajri i pastër, natyra e gjelbëruar pa fund, klima e freskët….u pëlqen shumë edhe kuzhina vendase me mish të pjekur dhe turshi…

– Qeshja me rrëfenjën e sinqertë të Lekës dhe sodisja peizazhin përreth. Ishte i padëmtuar dhe të joshte për të kaluar disa orë në gjirin e tij. Destinacioni ishte Ulza, prandaj e rrufitëm kafen pak më shpejtë se zakonisht dhe u drejtuam nga autobusi.

-Jo, tha Leka. – Gjashtë gazetarë do të vijnë me mua nëpër liqen. Kam një varkë aty, që mban 7 persona. Bëmë pak humor me varkën e Lekës në momentin e nisjes, por ajo vërtet ishte një varkë moderne me të cilën ai, shëtiste turistë që vinin në këtë zonë. Udhëtimi ishte vërtetë një mrekulli natyrore. Leka na çonte në burime që dilnin nga shpatet e pjerrët, në ujëvara, plazhe të vegjël shkëmborë e vende piktoreske dhe fliste me pasion për historinë e vendit dhe të parët e tij. Leka na foli për vargmalin e Trodhnës në pjesën jug -perëndimore të parkut dhe që kufizohet me rrethin e Krujës dhe të Kurbinit. Është vargmali që lidh dy kalatë e Krujës dhe të Lezhës dhe që tregon rrugën që ndiqte Skënderbeu me ushtrinë e tij pas luftimeve që bënte në këto dy kala. Kjo histori lidhet edhe me të parët e Lekës, me fisin Malçi ose Malqi sipas dialektit vendas. Fisi Malqi është i njohur si fisi më i vjetër dhe një nga mbështetësit kryesorë të Skënderbeut në betejat e tij. Kok Malqi përmendet dhe në historinë e Skënderbeut si njeri i zgjuar dhe këshilltar i tij. Leka e dinte këtë histori dhe fliste me krenari, sikundër fliste edhe për parkun natyror.

Parku Natyror Rajonal i Liqenit të Ulzës, i shpallur si i tillë që para dy viteve, me një sipërfaqe prej 4200 km ulza2katërorë, përfshin gjithë kurorën e liqenit të Ulzës dhe Shkopetit në lartësinë 400 m mbi nivelin e detit. Hartimi i projektit të menaxhimit të këtij parku është bërë nga Instituti i Mbrojtjes së Natyrës me financim të Ambasadës Amerikane dhe në bashkëpunim me Komunën Ulëz.

Parku Natyror Rajonal (PNR) Ulëz shquhet për vlerat e ndërthurjes së elementeve natyrorë duke përbërë një biodiversitet të pasur dhe me shumllojshmëri të specieve të florës dhe faunës, si dhe për peizazhin natyror duke filluar nga gryka e Shkopetit, aty ku fillojnë kufijtë e parkut, deri në kurorën e liqenit të Ulzës.

Në fshatin Bushkash gjenden varre të vjetra ilire të ruajtura dhe në ditët tona, ndërsa në fshatin Madhesh ka kisha të vjetra rreth 400- 500 vjeçare si ajo e Shën -Barbullës dhe kisha e Shën-Markut që përkoi dhe me festën tradicionale të zonës së Ulzës. Është dhe kisha e Stojanit që ndodhet në fshatin Stojan. Veshjet janë tipike tradicionale dhe ruhen me fanatizëm. Janë një vlerë kulturore dhe atraksion turistik për vizitorët e huaj.

Zona e parkut merret me peshkim, bujqësi, blegtori, punime druri, traditë e vjetër e zonës, si dhe me turizëm familjar. Gatimet tradicionale dhe prodhimet janë: tava e krapit, bukë misri i pjekur në çerep, petë me hithër, byrek me djath dhe me gjalp, raki rrushi, thane, kumbulle, verë e kuqe dhe e bardhë, si dhe fruta të thata apo lloje të ndryshme bulmetrash.

Që me shpalljen e parkut, operon organizata “MIQESIA” si pjesë e rrjetit për Mbrojtjen e Natyrës në bashkëpunim me INCA-n dhe në kuadër të projektit -SENiOR-a, financim i qeverisë suedeze dhe me mbështetje të “REC-Shqipëri”, për ngritje të kapaciteteve të shoqërisë civile në këtë zonë. Kjo organizatë drejtohet nga Artan Miza dhe ka një aktivitet të dendur gjithëvjetorë. Leka na përcolli deri te ura e Ulzës, u përshëndetëm me të dhe vazhduam për në qendër të qytezës. Kur mbërritëm, në sheshin e qytezës kishte nisur koncerti festiv nga nxënësit e shkollave dhe banorët e zonës. Ndërsa përgjatë sheshit ishte organizuar një panair me produkte bujqësore e blegtorale të krahinës.

Njerëzit ishin veshur si për festë dhe kjo binte në sy nga kostumet e tyre tradicionale. Në vazhdim të festimeve mori pjesë edhe Kryetarja e Bashkisë së Burrelit, Adelina Farrici, që në fjalën e saj, foli për vlerat natyrore, kulturore dhe historike të zonës. Foli për resurset e shumta që ka treva e tyre si dhe mundësitë për të zhvilluar edhe një turizëm gjithëvjetorë. Ndërsa festimet për ditën e Shën Markut dhe të 2 vjetorit të Parkut Rajonal vazhdonin, ne zbritëm në qendrën e peshkimit të Liqenit.

Që nga koha e ish-ndërmarrjes së peshkimit në këtë liqen, është krijuar Organizata e Menaxhimit të Peshkimit, që tashmë operon e mirëorganizuar për ruajtjen dhe menaxhimin e vlerave nënujore në këtë zonë, për ruajtjen e specieve të peshkut e të gjallesave të tjera. Gjon Rica dhe peshkatarë të tjerë të vjetër të zonës, kujdesen që të mos dëmtohen specie tradicionale të liqenit, si dhe të organizojnë një peshkim të ligjshëm e brenda standardeve të peshkimit. Largohemi nga Ulza me mendimin pozitiv se në këtë zonë mund të zhvillohet jo vetëm bujqësia dhe blegtoria, peshkimi dhe frutikultura, por edhe turizmi gjithëvjetor, në verë ai natyror dhe në dimër ai i dëborës./ATSH




Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat