PD: PS-LSI refuzon dekriminalizimin mbrojnë trafikantët me shpifësin Balla

Shqipëria

PD: PS-LSI refuzon dekriminalizimin mbrojnë trafikantët me shpifësin Balla

Më: 27 prill 2015 Në ora: 20:00

Partia Demokratike ka reaguar për mbledhjen e sotme të Komisionit të Posaçëm për dekriminalizimin duke theksuar se dyshja Rama-Meta nxjerr justifikime, për të mbrojtur trafikantët dhe kriminelët që i kanë në Parlament dhe në listat e kandidatëve për kryetarë bashkie

Deklarata e plotë e PD

Partia Demokratike dënon përpjekjet e përditshme të dyshes Rama-Meta për të penguar procesin e dekriminalizimit.
Sa më shumë nxjerrin pretekste dhe sabotojnë këtë proces jetik për vendin dhe të ardhmen e tij, aq më shumë vërtetojnë në sytë e publikut se nuk e duan dekriminalizimin, se nuk ndahen dot nga inkriminimi masiv që kanë mbjellë në çdo zyrë e institucion.
Pasi kriminalizuan administratën dhe Parlamentin, sot e mbrojnë deri në fund skemën e tyre dhe duke u bërë avokatë të trafikantëve të drogës e të prostitucionit, që i kanë nxjerrë sërish si përfaqësuesit e tyre duke i kandiduar për kryetarë bashkie.
Dyshja Rama-Meta përpëlitet e nxjerr gjithfarë justifikimesh, për të mbrojtur trafikantët dhe kriminelët që i kanë në Parlament dhe në listat e kandidatëve për kryetarë bashkie, që i përdorën më parë dhe mbahen me shpresë t’i përdorin prapë për të blerë votat.
Shqiptarët sot vuajnë për bukën e gojës ndërsa kandidati socialist për Bashkinë e Policanit, Adriatik Zotka është kallzuar penalisht për fshehje të 1.5 milionë eurove.
Qytetarët burgosen dhe shtyhen drejt vetëvrasjes për 30 mijë lekë të vjetra ndërsa trafikantët e drogës dhe protistucionit janë sot kandidatë për kryebashkiakë, si Artur Bushi në Krujë, Ervin alias Elvis Roshi ne Kavajë e gjetkë.
Qytetarët burgosen se lyejnë shtëpitë e tyre ndërsa ministri i Mirëqenies Personale Erjon Veliaj, dhe pse është kallëzuar penalisht, u mor në mbrojtje nga Policia pasi ndërtoi vetë pa leje.
Qytetarët po ikin natën, kanë marrë rugët e eksodit dramatik ngaqë e kanë të pamundur të jetojnë në kushtet e varfërisë e mjerimit, ndërsa qeveritarët s’duan tia dinë të zhytur në luks e në korrupsion galopant.
Fjalë dhe demagogji prodhon me shumicë dyshja Rama-Meta ndërsa shton listën e të inkriminuarve në garën për zgjedhjet e 21 qershorit. Asgjë dhe asnjë shpifës i dënuar me vendim gjykate, si Taulant Balla, nuk do t’a ndalë procesin e dekriminalizimit. Partia Demokratike kërkon të procedohet me shpejtësi për miratimin e amendamentit ligjor që pengon kandidimin e të inkriminuarve.
Kush e ka vullnetin politik për të ndalur krimin në këto zgjedhje, Partia Demokratike që propozon pengimin me ligj të kandimimit të të inkriminuarve, apo Partia Socialiste që refuzon ta bëjë këtë?
Një mirënjohje të veçantë për Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës një aleate e madhe e Shqipërisë në këtë proces jetik për të sotmen dhe të ardhmen e vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat