Ilir Meta bën apel: Mos bini preh e trafikantëve mashtrues për të lënë vendin

Shqipëria

Ilir Meta bën apel: Mos bini preh e trafikantëve mashtrues për të lënë vendin

Më: 27 prill 2015 Në ora: 19:18

Reformat për arsimin e lartë dhe atë parauniversitar ka qenë tema që është diskutuar mes kreut të Kuvendit Ilir Meta dhe disa studentëve pasditen e sotme.

Në këtë takim me të rinjtë, Meta tha se reforma është e domosdoshme në mënyrë që të eliminohet trendi i diplomave fiktive dhe pa vlerë për tregun e punës dhe për shoqërinë shqiptare.

“Liria e arsimit të lartë duhet të jetë e garantuar. Nuk duhet të lejojmë që të merren diploma pa shkuar asnjë ditë në shkollë. Shumë diploma fiktive kanë cenuar arsimin e lartë”, ka thënë Meta.

Kreu i LSI-së ka nënvizuar se e ka ndjekur me vëmendje debatin për reformimin e arsimit dhe u ka dhënë të rinjve garancinë e tij se reforma e re nuk parashikon ngritjen e barrierave ndaj tyre.

“Ne duam të ndërtojmë një sistem arsimor që të jetë konkurrues. Nuk kemi si qëllim të rrisim barrierat financiare për të rinjtë që studiojnë”, tha ndër të tjera Meta.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, i cili nënvizoi se reforma në arsim synon edhe përmirësimin e infrastrukturës së universiteteve, që ndër vite ka ardhur sipas tij duke u përkeqësuar.

Temë diskutimesh me të rinjtë ka qenë edhe eksodi që ka përfshirë të gjitha trojet shqiptare. Meta u bëri thirrje qytetarëve që të mos largohen, pasi nuk ka shanse që të përfitojnë azil.

Meta iu përgjigj gjithashtu edhe akuzave të opozitës se në dy vjet qeveria ka përkeqësuar ekonominë.

“Situata ekonomike nuk ka qenë më e mirë para dy vitesh. Jam i bindur se situata e largimit të qytetarëve është e përkohshme dhe se reformat që po bëjmë po e çojnë vendin në rrugën e duhur”, ka thënë Meta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat