Shqipëria i kërkon llogari ambasadorit rus

Shqipëria

Shqipëria i kërkon llogari ambasadorit rus

Më: 27 prill 2015 Në ora: 17:50

Ambasadori i Federatës Ruse, z. Aleksander Karpushin, u thirr sot në një takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

MPJ i shprehu Ambasadorit pakënaqësinë e palës shqiptare dhe i kërkoi sqarim lidhur me deklaratat për shtyp të para pak ditëve të MPJ-së ruse.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë i konsideron deklaratat e MPJ-së ruse të papranueshme dhe akuzat ndaj dy shteteve sovrane të Shqipërisë dhe Kosovës për ngjarjet e fundit në Maqedoni, destabilizuese.

“Këto deklarata përbejnë një shantazh dhe nuk i shërbejnë aspak klimës konstruktive në rajon e aq më pak parimeve të gjithë-pranuara të së drejtës ndërkombëtare” – shprehej MPJ.

“Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe kandidat në BE, dhe çdo deklaratë shantazhuese e Rusisë do të shihet veç përmes këtij prizmi.” – theksonte MPJ.

“Ambasadorit iu theksua se Federata Ruse duhet të shohë realitetin në sy në Ballkanin Perëndimor, ku pavarësia e Kosovës përben një kontribut të qenësishëm për të ardhmen demokratike dhe stabilitetin rajonal.”, përfundonte buletini i MPJ.

Ja çfarë kishte thëne MPJ ruse

“Retorika për Shqipërinë e Madhe nuk kontribuon në ruajtjen e klimës së stabilitetit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore në Ballkan”.

Kështu ka reaguar Moska pas deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për bashkimin me Kosovën. Sipas “B92″, deklarata bëhet nga Ministria e Jashtme e Rusisë, si reagim ndaj asaj që ‘Rama tha bashkimin e ardhshëm të vendit të tij dhe Kosovës “përmes BE­së, apo mënyrën klasike.”

“Moska i ka kushtuar vëmendje deklaratës së bërë me 4 prill nga Kryeministrit shqiptar Edi Rama për mundësinë e unifikimit të shqiptareve në kuptimin klasik”­ thuhet ne reagim.

Sipas Moskës, “ne supozojmë se nuk ka rëndësi se çfarë konsideratash apo motivesh mund të qëndrojnë prapa fjalëve të Ramës, por përsëritja e retorikës pan­shqiptare nuk ka gjasa që të kontribuojë në ruajtjen e klimës së stabilitetit dhe të fqinjësisë së mirë në rajonin e Ballkanit, që është jetik për Rusinë dhe vendet evropiane”, theksoi Ministria e Jashtme e Rusisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat