Ligji për KLD-në, zbardhet vendimi i Kushtetueses kundër Nishanit

Shqipëria

Ligji për KLD-në, zbardhet vendimi i Kushtetueses kundër Nishanit

Më: 27 prill 2015 Në ora: 10:32

Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese i cili rrëzoi kërkesën e Presidentit Bujar Nishani, për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kreu i Shtetit kishte kërkuar shfuqizimin e nenit 7 të ligjit nr. 101/2014 ku përcaktohej se: “Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të Presidentit, zgjedh nga radhët e anëtarëve të zgjedhur nga kuvendi një zëvendëskryetar”.

Gjykata argumenton se që nga krijimi i tij, nënkryetari i KLD-së është zgjedhur mes 3 anëtarëve të propozuar nga Kuvendi, dhe për këtë arsye ligji i miratuar nga qeveria nuk bie ndesh me Kushtetutën. “Gjykata nuk sheh asnjë shkak për të ndryshuar praktikën e saj të mëparshme lidhur me këtë çështje, pasi nuk ndodhet para rrethanave të ndryshme ligjore ose faktike.

Gjithashtu, ajo mban parasysh se edhe praktika e KLD-së, që prej krijimit të tij, tregon se zëvendëskryetari i KLD-së është caktuar gjithmonë nga radhët e anëtarëve të zgjedhur prej Kuvendit. Nisur nga këto premisa, Gjykata çmon se nisur nga pamundësia që funksionarët të mbajnë dy funksione me kohë të plotë njëherazi, rrjedh përfundimi se kandidatë potencialë për t’u zgjedhur në detyrën e zëvendëskryetarit të KLD-së janë vetëm 3 tre anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi.

Nga sa më lart, Gjykata vlerëson se zgjedhja e zëvendëskryetarit të KLD-së vetëm nga radhët e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi, nuk bie ndesh me nenin 116 dhe nenin 147/3 të Kushtetutës”, - argumenton Kushtetuesja. Pas shkarkimit nga Kuvendi të dy anëtarëve të KLDsë, Lulzim Lelçajt dhe nënkryetarit Elvis Çefa, Këshilli i lartë i Drejtësisë, duhet të zgjedhë nënkryetarin.

Pak ditë më parë ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i ka kërkuar zyrtarisht Presidentit të Republikës të përfshijë në rendin e ditës të mbledhjes së radhës të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, propozimin për zgjedhjen e nënkryetarit të këtij këshilli. Kjo kërkesë e ministrit Naço bazohet në ligjin e ndryshuar për organizimin e funksionimin e KLDsë por dhe këtë vendim të zbardhur tashmë të Gjykatës Kushtetuese, i cili rrëzon pretendimet e Presidentit të Republikës në lidhje me shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 7 të ligjit për disa shtesa të ligjit për KLDnë. Aktualisht, tre anëtarët e KLDsë të zgjedhur nga ana e Kuvendit janë Albana Shtylla, Vangjel Kosta dhe Sokol Çomo.

Zgjedhjet e 21 qershorit, KQZ regjistron sot Koalicionet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve regjistron sot koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” dhe koalicionin “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet”, për t’u bërë pjesë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 21.06.2015”. Kërkesat për regjistrimin e tyre janë dorëzuar që ditën e premte, kur ishte dhe afati i fundit ligjor për t’u bërë pjesë e garës. Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, veç Partisë Socialiste dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim ka në përbërje të tij edhe 37 parti të tjera politike jo vetëm të majta por edhe parti të qendrës dhe të djathta si Fryma e Re Demokratike.

Ndërkohë që mungon në listë, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, socialdemokrati Skënder Gjinushi i cili pas pamundësisë për nënshkrimin e një marrëveshje me PS-në, vendosi të dalë i vetëm. Ndërsa në koalicionin “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet” veç Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane bëjnë pjesë edhe 13 subjekte të tjera politike. Po sot KQZ-ja pritet të regjistrojnë Gjergj Ndrekën si kandidat të propozuar nga zgjedhësit për këshillin e bashkisë Lezhë dhe Ilirjan Sadikun si kandidat i propozuar nga zgjedhësit për këshillin e bashkisë Elbasan”.

Brenda datës dy maj pritet të regjistrohen dhe të gjithë kandidatët për kryetar të njësisë së qeverisjes vendore dhe lista e kandidatëve për këshillat vendorë. Sipas Kodit Zgjedhor këta kandidatë duhet të regjistrohen në Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve që mbulon njësinë e qeverisjes vendore jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat