Kandidatja për Sarandën, Koka takon banorët e Ksamilit

Shqipëria

Kandidatja për Sarandën, Koka takon banorët e Ksamilit

Më: 27 prill 2015 Në ora: 10:17

Kandidatja pë kryetare e Bashkisë së re të Sarandës Floriana Koka, zhvilloi në qytezën e Ksamilit disa takime me banorë të pesë lagjeve të saj, ku ka dëgjuar dhe mbledhur gjithë problemet dhe shqetësimet e tyre, me qëllim që t’i pasqyrojë ato në programin e saj që do të zhvillojë gjatë drejtimit të bashkisë së re të Sarandës. Gjatë takimeve, Floriana Koka është shoqëruar nga kryetari i Partisë Socialiste për Ksamilin Artur Kseno, koordinatori i fushatës për PS-në Sarandë, Armand Hysi dhe të rinj dhe të reja të FRESH-it, dega Ksamil.

Gjatë prezantimit të saj me banorët e qytezës bregdetare, Koka deklaroi se këto takime bëhen në kuadër të mbledhjes së shqetësimeve dhe problematikeve të komunitetit të Bashkisë së re Sarandë me qëllim që të hartojë bashkë me Partinë Socialiste programin e katër vjeçarit të ardhshëm të qeverisjes vendore. “Vij sot tek ju për të dëgjuar me shumë vëmendje, të gjitha shqetësimet dhe problemet e të përditshmes tuaj, me qëllimin për të gjetur zgjidhjen e duhur në vitet që do të vijnë.

Të gjitha këto zgjidhje iu angazhohem se do të jenë të realizueshme dhe të bazuara në realitetin ksamiliot, në bashkërendim me programin e Partisë Socialiste dhe programin e qeverisë Rama”, tha Floriana Koka. Banorët e Ksamilit i renditën kandidates Koka, disa nga problemet dhe shqetësimet e tyre, si investimet në infrastrukturë, siç është ndriçimin i rrugëve, asfaltimi dhe furnizimi me ujë. Një tjetër problem shumë i madh për banorët e Ksamilit ka qenë turizmi dhe investimet për rritjen e turistëve në Ksamil.

Legalizimet në këtë qytezë kanë qenë një tjetër shqetësim për banorët e Ksamilit duke qenë se prej dy vjetësh nuk është dhënë asnjë leje për ta. Plazhet publike kanë qenë një tjetër shqetësim për ta, sipas tyre asnjë centimetër plazh nuk ka më të lirë në Ksamil pasi komuna ua ka dhënë të gjithë subjekteve private. Trajtimi i të pastrehëve dhe banorëve të vjetër me tokë për ndërtim ka qenë një nga shqetësimet e mëdha që ksamiliotët i kanë bërë kandidates Koka.

Të vjetër dhe të rinj, i dhanë mbështetjen maksimale kandidates së Partisë Socialiste, Floriana Koka, duke u shprehur se do të votojnë për të pa dallim krahinë apo bindjeje politike. Pas takimeve në qytezën e Ksamilit, Floriana Koka, u shpreh se ndihej e mbushur nga ky komunikim me njerëzit e thjeshtë dhe po aq e bekuar që ka mundësinë ta zhvillojë këtë bashkëbisedim me qytetarët. “I dëgjova ksamiliotët me shumë vëmendje, shqetësimet e tyre janë të vërteta reale. Kërkesat e tyre ishin të thjeshta dhe shumë njerëzore, për rrugë më të mira për ndriçim më të mirë”, u shpreh Floriana Koka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat