Meta pajton Tavon me Bimen dhe deklaron fitore më të thellë se në 2013

Shqipëria

Meta pajton Tavon me Bimen dhe deklaron fitore më të thellë se në 2013

Më: 27 prill 2015 Në ora: 08:43

Janë prezantuar dje nga kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, dy kandidatet e së majtës së bashkuar për bashkitë Libohovë dhe Gjirokastër, përkatësisht Luiza Mandi dhe Zamira Rami. Në takimin e parë të zhvilluar në Libohovë, Meta shoqërohej edhe nga ministri i Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, deputeti i LSI-së së këtij qarku, Vangjel Tavo, si dhe nga prefektja, njëherësh kandidatja e së majtës për Bashkinë Gjirokastër, Zamira Rami.

Meta vlerësoi kandidaten e koalicionit qeverisës për Bashkinë Libohovë dhe shprehu bindjen se Luiza Mandi përkushtimin që ka treguar si mjeke do ta tregojë pas 21 qershorit si kryetare e Bashkisë së Libohovës, duke merituar plotësisht mbështetjen dhe besimin e qytetarëve.

“Do të meritojë edhe mbështetjen dhe besimin tonë si Aleancë për Shqipërinë Europiane. Unë jam i bindur në fitoren e padiskutueshme jo vetëm në Libohovë, jo vetëm në Gjirokastër, jo vetëm në Tiranë por edhe në gjithë Shqipërinë. Do të jetë një rikonfirmim edhe më i fuqishëm sesa zgjedhjet e 23 qershorit. Mund të shikoni koalicionin tonë dhe mund të shikoni edhe koalicionin e opozitës.

Është një diferencë e jashtëzakonshme që tregon qartë se ne nuk jemi një alternativë perfekte, por jemi pa asnjë diskutim alternativa, jo vetëm më e mirë, por edhe e vendosur për t’u përmirësuar çdo ditë, për të reflektuar çdo ditë, për të patur në qendër të vëmendjes edhe shqetësime të cilat ende nuk kanë marrë zgjidhje”, – tha Meta në fjalën e tij gjatë prezantimit të kandidates Mandi.

Kryetari i LSI-së në vijim të fjalës së tij u shpreh se momenti më i vështirë i ekonomisë shqiptare ka kaluar dhe se vendi po ecën drejt përmirësimit të qëndrueshëm. “Qëllimi ynë është të ndihmojmë qytetarët. T’i mbështesim ata për të përballuar vështirësitë dhe sfidat e vazhdueshme, nuk mendojmë që gjërat janë perfekte, përkundrazi vështirësitë janë të mëdha. Ju e shikoni që edhe Greqia ka vështirësitë e saj të jashtëzakonshme, edhe Italia dhe shumë vende të tjera, megjithatë absolutisht që ne momentin më të vështirë e kemi lënë pas dhe tani jemi duke ecur drejt përmirësimit të qëndrueshëm dhe të sigurt të ekonomisë së vendit.

Dhe shumë politika dhe reforma që janë ndërmarrë do të japin rezultatet e tyre në mënyrë të padiskutueshme”, – shtoi Meta. Ndërkohë që ministri Ahmetaj, duke marrë fjalën u shpreh i bindur për fitoren e koalicionit qeverisës në bashkinë e Libohovës, ndërkohë që theksoi se PS-LSI do të funksionojnë si një forcë e vetme në këto zgjedhje. Më pas kreu i Kuvendit dhe përfaqësuesit e tjerë të të dyja forcave që e shoqëronin, kanë zhvilluar një takim të përbashkët në kuadër të zgjedhjeve të 21 qershorit, ku dy forcat e majta garojnë nën të njëjtin koalicion “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.

Në takimin e përbashkët është prezantuar zyrtarisht edhe kandidatja e përbashkët për Bashkinë e Gjirokastrës, Zamira Rami, ndërkohë që Flamur Bime do të jetë koordinator i PS-së dhe LSI-së. Kreu i LSI-së, Meta shprehu përkrahjen e tij për Zamira Ramin. Ai shtoi se ka marrëdhënie të shkëlqyera me Flamur Bimen, të zgjedhurin si koordinator pavarësisht konflikteve të tij me Vangjel Tavon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat