Eksodi, Nishani: Qeveria të dalë nga zyrat, të merret me problemet

Shqipëria

Eksodi, Nishani: Qeveria të dalë nga zyrat, të merret me problemet

Më: 27 prill 2015 Në ora: 08:06

Kreu i shtetit ka qenë dje në Shishtavec të Kukësit, ku ka diskutuar me banorët e zonës mbi valën e largimeve drejt Gjermanisë. Nishani ka kërkuar nga Kukësi që qeveria të lërë retorikën dhe të japë alternativë zhvillimi për banorët.

Në kulmin e debatit mbi eksodin më të ri të shqiptarëve, atë drejt Gjermanisë, kreu i shtetit, Bujar Nishani ka udhëtuar dje drejt Shishtavecit në Kukës, e cila është edhe vatra nga ku po bëhen edhe largimet më të mëdha. Në një takim me banorët dhe drejtuesit lokalë të kësaj zone, Presidenti ka qenë i drejtpërdrejtë në mesazhin e tij, duke iu bërë thirrje institucioneve të qeverisë që të lërë propagandën dhe të dalë nga zyrat e t’u ndodhet pranë qytetarëve të vendit të dëgjojë shqetësimet dhe t’u japë zgjidhje problemeve të tyre.

Fillimisht ai vlerësoi pritjen e banorëve të zonës, ndërsa theksoi se ndante me dhimbje shqetësimin për largimet masive familjare që kanë prekur edhe këtë zonë të Shqipërisë, ashtu sikurse shumë zona të tjera të vendit. Duke bërë apel për mosbraktisjen e shtëpive, fshatrave e qyteteve, Presidenti iu bashkua shqetësimit të banorëve për zgjidhjen emergjente të situatës dhe ofrimin e planeve zhvillimore afatmesme e afatgjata për këto zona.

“Unë besoj se gjërat nuk mund të bëhen brenda një nate, por duket të ketë një fillim; duhet të ketë një punë të përditshme konkrete me projekte që zhvillohen te toka, te fshati, tek ara, te mali, te pylli dhe jo te fjalimet. Unë dëshiroj që nga Shishtaveci t’iu bëj thirrje të gjitha autoriteteve përkatëse të dalin menjëherë nga zyrat dhe të shkojnë te njerëzit, të bisedojnë me ta dhe të dëgjojnë se cilat janë propozimet dhe mendimet e tyre. Së pari këtë duhet ta bëjnë ministritë që kanë përgjegjësi ligjore për çështjet e zhvillimit të ekonomisë.

Kjo nuk ka nevojë për ndonjë filozofi të madhe, kjo ka nevojë për të qenë të sinqertë”, – u shpreh Presidenti Nishani. Gjithsesi, për të mbajtur një qëndrim të paanshëm, ai nuk ka harruar që të dënojë në të njëjtën kohë edhe skemat e mashtrimit që elementë kriminalë përdorin në dëm të qytetarëve. Kështu, duke marrë shkas edhe nga forcimi i kontrolleve në pikat e kalimit kufitar të autoriteteve shqiptare, Presidenti bëri thirrje edhe një herë që zgjidhja të mos shihet te mbyllja e kufirit, por te dhënia e alternativave dhe zgjidhjeve konkrete.

Ndërkohë që kryetari i komunës, ai i qarkut dhe banorët e zonës informuan mbi kushtet e vështira të jetesës, dhe veçanërisht për vrasjen e shpresës te të rinjtë, të cilët shohin të vetmen alternativë braktisjen e vendit. Ata kërkuan nga Presidenti sensibilizimin dhe vënien përpara përgjegjësive të qeverisë, ndalimin e retorikës së ashpër politike dhe fokusimi tek problemet reale të qytetarëve dhe kërkuan ndihma humanitare për të ndaluar shpopullimin e verilindjes së Shqipërisë.

Banorët e zonës kërkuan mbështetje për përkrahjen e projekteve që kanë hartuar në nivel lokal, përfshirë në subvencionimin, sigurimin e tregjeve për shitjen e produkteve bujqësore, si dhe realizimin e projekteve infrastrukturore dhe ndërkufitare. Presidenti Nishani premtoi se do ta ndjekë me përparësi absolute këtë situatë, do të kërkojë mbështetjen dhe zbatim të menjëhershëm të projekteve lokale dhe do kërkojë nga ekzekutivi ndërmarrjen e politikave qeverisëse urgjente për ndalimin e kësaj hemorragjie me përmasa kombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat