Patenta, zbardhet ritestimi

Shqipëria

Patenta, zbardhet ritestimi

Më: 27 prill 2015 Në ora: 07:47

Pas hyrjes në fuqi të sistemit të patentës me pikë dhe sanksioneve që ndërmerren për drejtuesit e mjeteve në rast të shkeljeve të 43 rregullave, tashmë bëhen publike edhe pyetjet e testimit. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor njofton se në rast të humbjes totale të pikëve, mbajtësi i lejedrejtimit do të duhet të duhet të kryejë testimin e kualifikimit dhe në rast të dhënies së përgjigjeve të sakta për 90 për qind të pyetësorit, ai do të rifitojë të drejtën për rikthimin e mjetit në rrugë. DPSHTRR-ja sqaron se të njëjtit provim duhet t’i nënshtrohen edhe drejtuesit e mjeteve, të cilët pas njoftimit të shkeljes së parë (përfshin një humbje prej të paktën pesë pikësh), kryen edhe dy shkelje të tjera brenda dymbëdhjetë muajve nga data e shkeljes së parë, që kanë të bëjnë me shkurtim të paktën prej pesë pikësh secila.

Në rast se mbajtësi i lejedrejtimit nuk i nënshtrohet provimit të kualifikimit, brenda tridhjetë ditëve nga njoftimi i vendimit për dhënien e tij, ose megjithëse i është nënshtruar provimit nuk e ka fituar atë, leja e drejtimit pezullohet pa afat. Leja i kthehet drejtuesit të mjetit vetëm pasi të jetë shpallur fitues në provimin e kualifikimit. Drejtuesi i mjetit i cili ka detyrimin e dhënies së provimit të kualifikimit për rimarrjen e pikëve dhe ndërkohë ka të pezulluar lejen e drejtimit për shkak të shkeljes së Kodit Rrugor, dhënia e provimit i lejohet vetëm përfundimit të afatit të pezullimit të lejes së drejtimit. Regjistrimi dhe dhënia e provimi të kualifikimit bëhet pranë Drejtorive të Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugorë.

Pyetjet e provimit

Testi përfshin kontrollin e njohurive teorike mbi normat e sjelljes dhe përmban në total 10 pyetje, ku çdo pyetje ka 3 nënpyetje, ose gjithsej 30 pyetje, me alternativa të kombinuara pozitive e negative të përgjigjeve. Çdo pyetje e zgjidhur korrekt vlerësohet me një pikë. Për t’u shpallur fitues, kandidati duhet t’u përgjigjet në mënyrë korrekte 90 për qind të pyetjeve të testit ose e thënë ndryshe të ketë fituar jo më pak se 27 pikë. Pyetjet e kualifikimit teorik janë të ndara sipas 10 kapitujve, në përmbajtje të të cilëve ka një ngjashmëri të madhe me pyetjet e përzgjedhura në testimin teorik fillestar, atë të marrjes për herë të parë të lejedrejtimit. Kështu sipas renditjes, në kapitullin e parë janë 18 pyetje, të cilat kanë si referencë shpejtësinë, kufizimet e shpejtësisë, pozicionin e mjetit në karrexhatë si dhe qarkullimin e mjeteve në rreshta paralele.

Grupi i dytë i pyetësorit, i cili ka dhe modele të skematizuar ndërtohet nga pyetje që lidhen me përparësinë që i jepet mjetit në rrugë, rregullat e përgjithshme të saj si dhe përparësisë në kryqëzime. Për këtë kapitull janë hartuar 69 variante të pyetjeve. Kreu i tretë i dedikohet pyetje që kanë të bëjnë sinjalistikën rrugore, veçanërisht për respektimin e saj, dritave semaforike dhe sinjalet horizontale dhe për të janë hartuar 59 variante pyetjesh. Kapitullit i katërt është i përbërë nga 20 variante pyetjesh, të cilat kanë si tematikë parakalimin, largësinë e sigurisë ndërmjet mjeteve, mënyrën e veprimeve në kalimet në nivel dhe këmbimin e mjeteve në kalimet e zëna në pengesa.

Kapitulli i pestë me titull, “përcaktime mbi sinjalizimin pamor, zanor dhe ndriçimin e mjeteve; përdorimi i sistemeve të sinjalizimeve pamore dhe ndriçimin e mjeteve” është i plotësuar me 20 pyetje, ku disa prej tyre lidhen me kufizimin e zhurmave. Kreu në vijim ka një pyetësor prej 20 pyetjesh, të cilat janë formulime që korrespondojnë me qëndrimin dhe pushimin e mjeteve, zënien e karrexhatës, sinjalizimin e mjetit të ndaluar, drejtimin e mjetit sipas kushteve atmosferike, sistemimin e ngarkesës në mjete si dhe tërheqjen e mjetit në avari në një situatë emergjente. Pyetjet e kapitullit të shtatë kanë të bëjnë kryesisht me përdorimin e rripit të sigurimit, kaskës mbrojtëse si dhe përdorimit të syzeve optike e aparateve të tjera gjatë kohës së drejtimit të mjetit, ndërsa kapitulli pasardhës dominohet nga pyetje për norma të sigurisë rrugore si dhe sjelljen e drejtuesit në varësi të llojit të rrugës. Në dy kapitujt e fundit, komisioni i DPSHTRR-së ka hartuar rreth 30 pyetje me tematikë drejtimin e mjeteve në ndikimin e alkoolit apo substancave narkotike, si dhe detyrimet a sjelljes së drejtuesve të mjeteve kundrejt efektivëve të policisë, oficerëve etj.

Sistemi me pikë

Në zbatim të nenit 120/1 të Kodit Rrugorë të Republikës së Shqipërisë, duke filluar nga data 16 prill, DPSHTRR ka filluar vlerësimin e lejes së drejtimit me pike.Të gjithë shtetasit, të cilët janë pajisur me lejedrejtimi para datës 16 prill 2015, që janë pjese e regjistrit kombëtar të drejtuesve të mjeteve, përfitojnë 20 pikë. Drejtuesve të mjeteve që bëhen pjesë e regjistrit kombëtar, në vijim, numri prej 20 pikësh u jepet në datën që bëhen pjesë e këtij regjistri. Heqja dhe verifikimi i pikëve Pikët pësojnë zbritje, në bazë të njoftimeve për shkelje të normave të sjelljes, parashikuar në kapitullin V të Kodit Rrugor. Për verifikimin e gjendjes së pikëve, drejtuesi i mjetit duhet të jetë i regjistruar në portalin e-albania (https://e-albania.al/ sherbimi.aspx?kodi=4468), dhe të hyjë në llogarinë personale me të dhënat e tij të identifikimit.

Për regjistrimin dhe verifikimin e pikëve zgjedh shërbimin “Pikët e drejtuesit të mjetit”. Shtimi i pikëve Përveç rastit të humbjes së plotë të pikëve, mungesa e shkeljes së një neni të normave të sjelljes, e cila mund të çojë në zbritje pikësh, për një periudhë prej dy vjetësh, shoqërohet me dhënien e një sasie pikësh bonus. Kur mbajtësi i lejedrejtimit ka më pak se njëzet pike, numri i pikëve i shkon në njëzet. Kur mbajtësi i lejedrejtimit ka jo më pak se njëzet pikë, i jepet një kredit prej dy pikësh me kusht qe totali i pikëve te mos kaloje tridhjetë pikësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat