Kompensimi i energjisë elektrike nuk pasqyrohet në buxhet

Shqipëria

Kompensimi i energjisë elektrike nuk pasqyrohet në buxhet

Më: 26 prill 2015 Në ora: 23:15

Në fund të vitit të kaluar, kur Enti Rregullator e rriti çmimin e energjisë për fashën mbi 300 kw të konsumatorëve familjarë, Qeveria deklaroi se do të kompensonte plotësisht shtresat më të varfra të popullsisë. Për këtë qëllim, në buxhet u përcaktua një fond 1.6 miliardë lekë, i cili do të mbulonte gjithë efektin e rritjes së tarifës për rreth 200 mijë familje në shkallë vendi.

Sipas një skeme të hartuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale, për të mos krijuar vështirësi te këto familje u vendos që kompensimi të parapaguhej. Por sipas të dhënave, që publikon Ministria e Financave, deri në fund të Marsit rezulton se buxheti nuk ka shpërndarë asnjë lek për kompensimin e çmimit të energjisë.

Ministria e Financave thotë se familjarët i kanë marrë paratë e kompesimit, por fondet nuk figurojnë në zërin përkatës të buxhetit, por janë të shpërndarë në zërat e tjerë si ai i sigurimeve shoqërore për pensionistët apo te ndihma ekonomike për familjet në nevojë.

Nga ana e saj, Ministria e Mirëqenies Sociale sqaron se menjëherë pas miratimit të VKM-së, kjo ministri përgatiti udhëzimin përkatës për kryerjen e procedurave respektive për kompensimin. Sipas VKM-së dhe Udhëzimit njësitë e qeverisjes vendore dërgojnë pranë Shërbimit Social Shtetëror kërkesën për fonde.

“Këto kërkesa kanë ardhur pranë këtij institucioni në muajin prill dhe tashmë, në përputhje me legjislacionin ky institucion ka përgatitur procedurat për çeljen e fondeve që u alokohen njësive vendore. Çelja e fondeve mundëson kryerjen e pagesave të kompensimit të energjisë elektrike për të gjithë periudhën janar-qershor 2015, pavarësisht nga vonesat e shkaktuara nga njësitë vendore në dërgimin e kërkesës për fonde pranë Shërbimit Social Shtetëror’, thuhet në sqarimin e ministrisë.

Të dhënat nga ministria e financave tregojnë se kompensimi i energjisë nuk është transferta e vetme për të varfrit, që ka ecuri problematike. Pagesat për ndihmën ekonomike, gjithashtu kanë rënë me gati 50 për qind krahasuar me vjet 6.54 miliardë lekë që ishte në 3.71 miliardë lekë.

Të dhënat e ministrisë së financave tregojnë se pagesat për ndihmën ekonomikë këtë vit nuk janë më të ulëta vetëm se vjet, por janë më të ulëtat që nga viti 2009. Për këtë fakt drejtoria e Shërbimit Social thotë se janë duke u bërë verifikime për shifrat gjatë ditëve në vijim, pasi sipas saj të dhënat e viteve të shkuara mund të jenë raportuar gabimisht.

Edhe për këtë fakt Ministria e Mirëqenies Sociale ka një tjetër qëndrim. Sipas saj, në dy mujorin e parë të vitit 2014 janë dizbursuar fonde si për të kryer pagesat e pakryera nga qeveria e mëparshme përgjatë 2013, ashtu edhe për të kryer pagesat e familjeve në ndihmë ekonomike për periudhën përkatëse.

“Në 2015 ne nuk trashëguam asnjë detyrim nga 2014 sepse pagesat janë kryer rregullisht ndaj familjeve përfituese të ndihmës ekonomike dhe personave me aftësi të kufizuar. Pra fondi i tremujorit të parë të 2014 është më i madh se e njëjta periudhë e 2015 për shkak të kryerjes së pagesës së borxhit të mbartur nga qeveria paraardhëse”, mbyllet qëndrimi i ministrisë.Top Channel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat