Sezoni veror, AKU intensifikon inspektimet për sigurinë ushqimore

Shqipëria

Sezoni veror, AKU intensifikon inspektimet për sigurinë ushqimore

Më: 26 prill 2015 Në ora: 22:40

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) me afrimin e sezonit veror ka shtuar inspektimet në qëndrat tregtare dhe njësitë e shitjes, për rritjen e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

Nga të dhënat e vitit 2014, rezulton se AKU për produktet me orgjinë joshtazore, në 12 qarqet e vendit ka kryer mbi 17 mijë inspektime, dhe ka vendosur 110 gjoba me vlerë rreth 2.9 milion lekë. Ndërsa bllokimet dhe asgjesimet e produkteve për këtë kategori, kapin vlerën e rreth 26 milion lekëve.

Sipas njoftimit nga AKU, gjatë kësaj periudhe janë marrë vendime për pezullim aktivitetit në 94 raste. Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndërmarrë mbi 12 mijë kontrolle për produktet me orgjinë shtazore në të gjithë vendin, ku janë vendosur në total 167 gjoba me vlerë 12.8 milion lekë. Duket se produktet me orgjinë shtazore kanë rezultuar më problematike përsa i plotësimit të kushteve të sigurisë, pasi janë marrë 320 masa me pezullim të aktiviteteve dhe është asgjesuar një sasi e madhe produktesh.

Qarqet më problematike në këtë drejtim kanë qenë Tirana dhe Fieri. Por pavarësisht këtyre masave, qytetarët vijonë të kenë sërish probleme me sigurinë e produkteve dhe mos besim se ajo që konsumojnë është e shëndetshme. Sërish vërehen produkte që shiten nëpër trotuare, apo në dyqane që nuk plotësojnë kushtet higjeno-sanitare. Me afrimin e stinës së verës, ekspozimi i konsumatorëve ndaj produkteve jo të sigurta është edhe më i lartë, për shkak se ato tregtohen pa kriter dhe duke qendruar me orë të tëra në diell.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat