Meta prezanton 3 kandidatë në jug

Shqipëria

Meta prezanton 3 kandidatë në jug

Më: 26 prill 2015 Në ora: 21:41

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka prezantuar sot kandidaturat e mazhorancës për bashkinë e Gjirokastrës, Tepelenës dhe Libohovës.

Meta ka prezantuar në Libohovë kandidaten Luiza Mandi. Në këtë takim, ai u shpreh i sigurt për fitoren e mazhorancës në të gjithë vendin. “Nisim këtë tur takimesh për prezantimin e kandidates Luiza Mandi. Jam i bindur në fitoren e padiskutueshme jo vetëm në Libohovë, por në gjithë Shqipërinë. Jemi, jo vetëm alternativa më e mirë, por e vendosur për t'u përmirësuar çdo ditë. Pas 21 qershorit Shqipëria do eci me një ritëm tjetër, kjo lidhet dhe me reformën administrative. Ne jemi një aleance, kemi një qëllim të përbashkët. Të stabilizojmë vendin, Të mbështesim qytetarët për të përmirësuar jetën e tyre. Meta: Jemi duke ecur drejt përmirësimit të sigurt dhe të qëndrueshëm për përmirësimin e ekonomisë së vendit.” - tha Meta, gjatë prezantimit të kandidates për Bashkinë e Libohovës.

Në Gjirokastër, prezantimi zyrtar i kandidates Zamira Rami është bërë gjatë një takimi të përbashkët mes PS-LSI, ku është vendosur që kryebashkiaku aktual do të jetë edhe koordinator i këtij koalicioni për Bashkinë e Gjirokastrës. Meta ndal edhe tek kryebashkiaku aktual, Flamur Bime, ku theksoi se pavarësisht se Flamur Bime kishte konflikt me deputetin e LSI-së Vangjel Tavon, ai gëzonte respekt për Bimen dhe se kishte mik. Rami bëri edhe një prezantim të projekteve të saj për drejtimin e bashkisë së re.

Meta shprehu bindjen se reformat e ndërmarra deri tani nga qeveria, por edhe nga Bashkia e Gjirokastrës do të jenë një avantazh në rikonfirmimin e të majtës në krye të Bashkisë së Gjirokastrës. Në vijim të fjalës, ai theksoi se “Aleanca për Shqipërinë Evropiane ka vullnetin e mirë për të vijuar përmirësimin e kapaciteteve turistike të Gjirokastrës dhe se me ndarjen e re administrativo territoriale do të bëhet e mundur edhe rritja e politikave zhvillimore në fusha të ndryshme si agrobiznesi, manifaktura, industria ushqimore.

Pas Libohovës dhe Gjirokastrës, Kreu i LSI-së, Ilir Meta është ndalur në Tepelenë ku ka prezantuar edhe kandidatin Termet Peçi. Gjatë fjalës së tij në Tepelenë, Meta u ndal te reforma territoriale duke e cilësuar si historike dhe një mundësi për zhvillim. "Reforma administrative territoriale është histori, pushtetit vendor i jepet me shume mundësi zhvillimi.n Pjesa më e vështirë e reformave ka kaluar. Presim progresin ne vitet e ardhshme. Të gjithë bashkë do e fusim Tepelenën dhe Memaliajn në rrugën e progresit. Periudha më e vështirë e kësaj qeveria ka kaluar. Mbarti shumë probleme nga e kaluara, e ardhmja është e sigurt dhe progresive."- tha Meta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat