Zyrtarizohet përçarja mes çamëve të PDIU

Shqipëria

Zyrtarizohet përçarja mes çamëve të PDIU

Më: 26 prill 2015 Në ora: 17:34

Deputeti i zgjedhur nën siglën e PDIU Dashamir Tahiri ka qenë në një mbledhje në Vlorë me qytetarët me origjinë çame.

Ai ka ironizuar takimin e një dite më parë të kryetarit të PDIU, Shpëtim Idrizi, duke e quajtur tashmë “ish-koleg” këtë të fundit dhe duke thënë se në sallën ku ai ndodhej i pranishëm ka më tepër çamë, ndryshe nga takimet që, sipas Tahirit, Idrizi i bën me praninë e policisë dhe të mediave.

Dashamir Tahiri ishte parë në krah të kryetarit të PD-së Lulzim Basha disa ditë më parë, gjatë prezantimit të kandidatit demokrat për Bashkinë Vlorë.

Por sot Tahiri zyrtarizoi gjithçka kur tha se çamët e Vlorës do të votojnë për kandidatin e PD-së Genc Deromemaj për Vlorën.

Tahiri e argumentoi këtë ndarje mes tij dhe Idrizit, duke thënë se çamët do të jenë kundër çdo qeverie që nuk është për zgjidhjen e plotë të çështjes çame.

Ai e ngriti tonin e akuzave, kur tha se çamët nuk e kanë patur frikë policinë as në kohën e komunizmit, e jo më tani, duke thumbuar Idrizin, që sikurse ai përmendi më lart shoqërohet nga policia nëpër takime elektroale.

Ndryshe nga Dashamir Tahiri, partia PDIU ka vendosur të marrë pjesë në zgjedhjet lokale përkrah koalicionit të majtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat