Basha: Qeveria i ka vënë qytetarëve lakun në fyt me pabesitë e saj, gjykohet me 21 qershor

Shqipëria

Basha: Qeveria i ka vënë qytetarëve lakun në fyt me pabesitë e saj, gjykohet me 21 qershor

Më: 26 prill 2015 Në ora: 16:52

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka prezantuar në qytetin e Gjirokastrës kandidatin për kryetar Bashkie Igli Kokalari. Gjatë fjalës së tij, Basha tha se në të gjithë Shqipërinë qytetarët janë bashkuar si asnjëherë më parë dhe po presin me padurim ditën e votimit, për t’i dhënë ndëshkimin e merituar, dyshes Rama – Meta. 21 qershori, tha Basha është dita e gjykimit politik, është dita e llogarisë para shqiptarëve, është dita e ndëshkimit me votë të keqqeverisjes Rama – Meta.

“Pse po vërshojnë qytetarët, pse po vërshojnë njerëzit në mënyrë plebishitare, popullore, në takimet tona paraprake të prezantimit të kandidatëve tanë? Ç’është ky vërshim si në kohët e përmbysjes së regjimit të tollonave e arratisë? Ç’është ky entuziazëm në mes të kësaj gjendje të tmerrshme ekonomike që ka kapluar vendin?! Ju a them unë se e ndiej në shpirt. Njerëzit po presin me padurim ditën e votimit, ka një padurim për të votuar, për t’u dhënë një mësim që ta mbajnë mend, për t’u dhënë ndëshkimin e merituar”, tha Basha. Kryetari i Partisë Demokratike ndërsa është njohur me problemet e mëdha të qytetarëve, theksoi se qeveria i ka vënë qytetarëve lakun në fyt me pabesitë e saj, me mashtrimet e saj, me taksat, me arbitraritetin e saj, me rritjen pa kufi të taksave, me rritjen e çmimit të energjisë të cilin premtoi se do ta ulte, me rritjen e çmimit të naftës. Gjirokastritët nuk do të pranojnë të qeverisen nga Gjiri i Lalzit tha Basha por do ti besojne votën Igli Kokalarit

“Për çfarë vijnë të kërkojnë votën këta? Për çfarë e kërkon votën qeveria? E kërkojnë si miratim për gënjeshtrat e mashtrimet e tyre, për gjoja 300 mijë vende të reja pune apo shëndetësinë falas, rendin e sigurinë, uljen e taksave për të gjithë shqiptarët apo uljen e çmimit të energjisë?! Të gjitha gënjeshtra. E kërkojnë votën tuaj për të miratuar politikën e lakut në fyt dhe vota juaj do ta miratojë këtë politikë të lakut në fyt ose do ta heqë lakun nga fyti i shqiptarëve. Kërkojnë votën tuaj për të zhbërë me votën tuaj, me duart tuaja pushtetin vendor, që vendimet për Gjirokastrën të mos merren në Gjirokastër por në Gjirin e Lalzit. Bashkisë së re të Gjirokastrës, qytetarëve të rinj e të vjetër të këtij qyteti e çdo komune, një njeri i sprovuar në shërbimin ndaj tyre, një njeri që urdhrat nuk do i marrë as nga Tirana e as nga Gjiri i Lalzit por do i marrë nga gjirokastritët dhe ky është Igli Kokalari”, tha Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat