Bushati: Basha nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet e dhëna

Shqipëria

Bushati: Basha nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet e dhëna

Më: 26 prill 2015 Në ora: 14:47

Deputeti i PS-së Ervin Bushati akuzoi kreun aktual të Bashkisë së Tiranës njëkohësisht dhe kreu i PD-së Lulzim Basha se nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet e dhëna. Në një deklaratë për mediat Bushati theksoi se dështimi i kryebashkiakut Basha u konfirmua edhe nga kandidati i PD-së për Tiranën Halim Kosova në një deklaratë një ditë më parë ku u shpreh se problemi kryesor është infrastruktura e sportit.

“Lulzim Basha s’ka mbajtur asnjë premtim në këto 4 vite. E megjithatë sot e ka hapur thesin duke premtuar çudira që nuk ia besojnë më as kandidatët e Partisë së tij Demokratike. Dje, ishte kandidati i tij për Tiranën zëri më i fundit që iu bashkua kritikave duke denoncuar premtimin e pambajtur të Lulit për ndërtimin e terreneve sportive në kryeqytet.

“Problemi kryesor është infrastruktura e sportit dhe e terreneve sportive, problemi fillon që nga A-ja”, – tha dje Halimi.A i mbani mend premtimet e Lulit për sportin? Për investimet në terrene sportive dhe ndërtimin e të paktën një qendre sportive për çdo njësi bashkiake? Siç e tha dhe vete Halimi, Luli jo vetëm që s’e ka mbajtur këtë premtim, por nuk e çoi dot as nga A-ja tek B-ja. Premtoi çudira për sportin, por sot në fundin e mandatit të tij e ka katandisur dhe ekipin e Tiranës në ditë të hallit.Lulzim Basha i di dështimet e tij më mirë se kushdo.

Prandaj zgjodhi të fshihet pas një kandidati si Halimi për t’i shpëtuar përballjes me votë në 21 qershor; Prandaj i shmanget qytetarëve të Tiranës tamam si një frikacak, ashtu siç i është shmangur si frikacak çdo përballje me dështimet dhe abuzimet e tij. Vota e 21 qershorit do të jetë një mesazh i qartë për Lulin dhe Partinë Demokratike se qytetarët dinë t’i dallojnë mire mashtruesit. Në 21 qershor qytetarët do të bëjnë zgjedhjen e drejte për ta çuar Tiranën dhe mbarë Shqipërinë në drejtimin e duhur.”- u shpreh Bushati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat