Kërkesa e Metës, reagon Braho: Takimi me Frrokun është sajesë

Shqipëria

Kërkesa e Metës, reagon Braho: Takimi me Frrokun është sajesë

Më: 26 prill 2015 Në ora: 09:28

Vetëm dy ditë më parë kryetari i Komisionit parlamentar të Sigurisë, Spartak Braho, u filmua duke dalë nga ambientet e një spitali privat në Tiranë, ku gjendet i shtruar deputeti i akuzuar për vrasje në Belgjikë, Mark Frroku. Të menjëhershme ishin aludimet për një takim të Brahos me Mark Frrokun.

Pas publikimit të pamjeve kryetari i Kuvendit, njëherazi edhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, reagoi rreth raportimeve mediatike mbi një takim të deputetit të LSI-së, Spartak Braho, me deputetin Mark Frroku në një spital privat. Reagimi i kryeparlamentarit Meta erdhi përmes shefit të kabinetit të tij. Meta i kërkoi Brahos të sqarojë publikisht opinionin për të vërtetën. Gjithashtu, kreu i Kuvendit i ka kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe atij të Drejtësisë, Nasip Naço, të verifikojnë nëse ka ndodhur takimi Braho-Frroku.

Vetëm dy orë pas kërkesës së Metës, deputeti i LSI-së, Spartak Braho, tregoi edhe arsyet e vizitës së tij në spitalin, ku ndodhet Mark Frroku, në Rrugën e Kavajës në Tiranë. Me anën e një deklarate të dalë nga selia e LSI-së, Braho shprehet se vizita e tij në ambientet e spitalit privat ishte tërësisht për arsye shëndetësore dhe vizita ishte e planifikuar dhe e dokumentuar ditë më parë.

Reagimi i Metës

Përmes një njoftimi zyrtar të shefit të Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit, Sokol Dervishaj, thuhej se kërkesa e Metës ndaj Brahos ka ardhur pas lajmit të dalë në disa media se, sipas burimeve të tyre, deputeti i LSI-së, Braho është takuar me deputetin e arrestuar Frroku, në një spital privat, aty ku ky i fundit ndodhet pas problemeve me zemrën.

Veç shprehjes publikisht të qëndrimit të Brahos, Meta i kërkon ministrave Tahiri dhe Naço, si dhe kryeprokurorit Llalla që të nisin hetimet për të vërtetuar nëse ka ndodhur ose jo takimi i pretenduar. Në përfundim të njoftimit, Meta citohet të jetë shprehur se deputetët duhet të jenë të parët që duhet të respektojnë ligjet dhe vendimet e gjykatave.

“Deputetët janë të parët që duhet të respektojnë ligjet e vendit dhe vendimet e gjykatave, aq më tepër kur kemi të bëjmë me një deputet që është kryetar i Komisionit parlamentar për Sigurinë Kombëtare”, citohet Meta.

Më tej në njoftimin e tij, shefi i kabinetit të Metës shprehej se, nëse nga verifikimet dhe hetimet do të rezultojë e vërtetë se ky takim ka ndodhur, kryetari i Kuvendit do të bëjë publik qëndrimin e tij, duke qenë i bindur se asnjë deputet, cilido qoftë ai, nuk ka të drejtë të sfidojë ligjet dhe vendimet e gjykatave.

Deputeti Mark Frroku ndodhet në një spital privat në kryeqytet, pas problemeve që shfaqi me zemrën, ndërkohë që pritet t’i nënshtrohet një koronarografie. Frroku la ambientet e paraburgimit numër 302, pasi ndodhet nën masën e “arrestit me burg” për akuzat e autoriteteve belge në vrasjen e një shqiptari dhe të akuzës shqiptare për fshehje të pasurisë. Dy ditë më parë, Frroku u njoh në spital me akt-ekspertizën e sendeve të sekuestruara në banesën e tij.

Braho: Në spital shkova për arsye shëndetësore

Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, reagoi pas akuzave të bëra në drejtim të tij se, para dy ditësh shkoi dhe takoi në spital deputetin Mark Frroku. Me anën e një deklarate, Braho shprehet se gjithçka e dalë nëpër media është një sajesë dhe se shkaku që ai ndodhej në spital ishte situata shëndetësore dhe nuk ka lidhje me një vizitë tek Mark Frroku.

“Ndonëse as nuk ia vlen të merresh me sqarimin e këtij dyshimi që hedh në eter kova e ndryshkur propagandistike për të bërë gjoja “lajm”, prania ime në këtë spital ishte tërësisht për arsye shëndetësore, e planifikuar dhe e dokumentuar ditë më parë, ku kontaktova mjekun përkatës të laboratorit në katin e parë”, shprehet Braho.

Më tej deputeti i LSI-së i “fton” të gjithë skeptikët të shkojnë të bëjnë një investigim pranë spitalit për të zbardhur të vërtetën.

“Kanë rast ‘investiguesit seriozë’ të shkojnë të kontrollojnë kamerat e sigurisë së spitalit, të cilat regjistrojnë çdo gjë, policët përkatës në shërbim dhe të zbulojnë lajmin e saktë, që s’është lajm fare. Është e vërtetë se praninë e Frrokut në atë spital e kam marr vesh vetëm kur dola nga ambientet e spitalit dhe për çudinë time pashë që disa kamera televizive po më filmonin. Nuk iu dhashë rëndësi, pasi bashkëshoqëruesi më sqaroi se prania e tyre lidhej me faktin se në ambientet e kateve të sipërme të spitalit ndodhej i shtruar Mark Frroku. Mos harroni se në gjendje arresti me polic te koka është Mark Frroku e Tom Doshi. Unë isha tek dera e spitalit, as në ndonjë aeroport apo hotel e në duar mbaja vetëm letra! Qesharake!”, shprehet Braho.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat