Veliaj-Kosova nuk pajtohen as te Komuniteti Mysliman

Shqipëria

Veliaj-Kosova nuk pajtohen as te Komuniteti Mysliman

Më: 26 prill 2015 Në ora: 09:21

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, njëkohësisht kandidati i mazhorancës për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një takim me ish-Presidentin e Republikës, Alfred Moisiu dhe deputetin socialist Pandeli Majko.

Veliaj diskutoi me ta idetë sesi mund të ndryshojë kryeqyteti gjatë 4-vjeçarit të ardhshëm. Këtë fakt e bëri të ditur vetë Veliaj, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

Duke e cilësuar Moisiun si ”Presidenti im”, Veliaj shkruan më tej në postim: “Me Alfred Moisiun dhe Pandin, kujtime për familjet tona ushtarake, ide për qytetin e punën që na pret”.

Ndërsa kandidati i mazhorancës për Tiranën, Veliaj, me ftesë të Komunitetit Mysliman ishte i pranishëm edhe në një aktivitet për nder të ditëlindjes së profetit Muhamed. Interesant ishte fakti se në këtë aktivitet ishte i ftuar edhe kandidati i opozitës për kryeqytetin, Halim Kosova, i cili shoqërohej nga kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Edhe pse qëndruan në pozicione jo shumë larg njëri-tjetrit të dy kandidatët nuk preferuan të shtrëngonin duart, duke u mjaftuar vetëm me një përshëndetje formale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat