Kryebashkiaku i Gramshit kandidon me komunistët e Marko Dajtit

Shqipëria

Kryebashkiaku i Gramshit kandidon me komunistët e Marko Dajtit

Më: 26 prill 2015 Në ora: 09:09

Kryetari i Bashkisë së Gramshit, Dritan Bici, do të jetë kandidat i Frontit të Majtë, partisë komuniste të drejtuar nga Marko Dajti. Bici, i cili është në mandatin e dytë në këtë bashki, nuk u rikandidua nga Partia Socialiste, në vend të tij është vendosur Luljeta Dollani, drejtoresha e arsimit në këtë qytet. Përmes një statusi në faqen e tij në Facebook, Bici njofton regjistrimin në KZAZ nr. 51 i propozuar nga Fronti i Majtë, që është jashtë koalicionit të PS, ndërsa akuzon ish­deputetin e zonës, aktualisht ministër i Energjetikës, Damian Gjiknuri, se ka ndikuar në përzgjedhjen e kandidates së PS­së për këtë bashki.

“Ju njoftoj se sapo zyrtarizova kandidimin tim në garën për kryetar bashkie të Gramshit. Kandidoj si përfaqësues i Frontit të Majtë Shqiptar. Dëshira ime do të ishte të kandidoja nga PS­ja, por kjo u bë e pamundur nga këmbëngulja e ministrit të Energjetikës (i cili nuk është më deputet) i Gramshit, sepse dorëzoi mandatin dhe u bë ministër. Pra klani i Tapë Bodurit dhe i lojërave të fatit ndërhynë fuqishëm që unë të mos jem kandidat i PS për zgjedhjet e 21 qershorit”, shkruan Bici. Sipas tij, në përzgjedhjen e kandidates nuk është zbatuar asnjë pikë e statutit të PS­së.

“Moskandidimi im erdhi për të vetmen arsye se nuk më komandonin dot siç donin ata. Dua t’u bëj me dije socialistëve të rrethit të Gramshit se nuk u respektua asnjë pikë e statutit të PS për përzgjedhjen e kandidaturave. As nuk u mor mendim nga asambletë e komunave, as u mblodh Asambleja Socialiste e rrethit për të diskutuar”, shkruan Bici. Kryetari aktual i Bashkisë së Gramshit shprehet se në të gjitha sondazhet e organizuara ka dalë më i votuari./opozita

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat