Halim Kosova: Vazhdoj të kem konsideratë për Edi Ramën

Shqipëria

Halim Kosova: Vazhdoj të kem konsideratë për Edi Ramën

Më: 26 prill 2015 Në ora: 08:58

Deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili tha dy ditë më parë se, “Halim Kosova është e kundërta e doktorit të parë. Ky doktori tjetër është burrë i mirë, por shumë i lodhur”, i është përgjigjur kandidati i PD-së për bashkinë e Tiranës. Kosova u shpreh se ndan vlerësim të veçantë për kryeministrin e vendit.

Qëndrimi i kandidatit demokrat lidhet me një vlerësim që Rama ka bërë kur ishte në krye të bashkisë në vitin 2007, ku e përfshiu në një nga dhjetë personazhet e vitit. Halim Kosova tha se do t’i shtrijë dorën e bashkëpunimit kujtdo që ndikon në përmirësimin e jetës së kryeqytetasve.

“Të jem i sinqertë, që kur emri im doli për kandidat, unë i jam veshur punës, i kam ndaluar njerëzit të më japin sinjale, qoftë edhe miq të mi, se jam i përqendruar aty ku do shkoj. Për kryeministrin Rama shpreh konsideratë për atë që ai gjithmonë e ka vlerësuar punën time, ka lavdëruar, edhe personalisht kemi folur, edhe nga afër ma ka thënë. Gjëra të vogla që ju m’i thoni nuk do ndikojnë në konsideratën, përkundrazi në bashki do t’i shtrij dorën çdo njeriu, nuk kam asnjë lloj kompleksi. Më shumë se qetësia nuk ka asgjë tjetër për fushatën”, u shpreh Kosova.

Deklarata e kandidatit të koalicionit të djathtë për garën elektorale të 21 qershorit, erdhi në përgjigje të interesit të gazetarëve pas takimit me sportistë kampionë në Pallatin e Sportit “Fahrije Hoti”. Që në momentin e zyrtarizimit të kandidaturës së tij për bashkinë e Tiranës, Halim Kosova ka nisur me takimet me grupe të ndryshme të interesit, shqetësimet e të cilëve pritet të bëhen pjesë e programit që do t’u prezantojë kryeqytetasve për zgjedhjet e 21 qershorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat