PD dhe PS përplasen për ndihmën ekonomike

Shqipëria

PD dhe PS përplasen për ndihmën ekonomike

Më: 26 prill 2015 Në ora: 08:38

Mazhoranca dhe opozita kanë lëshuar deklarata kundra njëra-tjetrës për çështjen e ndihmës ekonomike. Nga “selia blu”, koordinatori kombëtar i Partisë Demokratike, Akil Kraja, në një prononcim për mediat, u shpreh se, janë rreth 20 mijë familje që janë larguar nga skema e ndihmës ekonomike, duke u zëvendësuar me militantë.

“Ka reforma, të cilat janë të keqadministruara apo akoma më keq, të cilat as nuk transmetohen siç duhen tek këto familje në nevojë. Përgjigje nuk ka, reforma diku është”, tha Kraja.

Ndërsa deputetja socialiste Olta Xhaçka ka sulmuar ndërkohë kreun e opozitës, por edhe kandidatin demokrat për bashkinë e Tiranës. Xhaçka e ka cilësuar Bashën fajtor për dështimin me ndihmën ekonomike dhe me banesat sociale.

“As PD-ja e as Halim Kosova nuk flasin dot për Tiranën. Nuk premtojnë dot asgjë për qytetarët, pasi çdo premtim i tyre llogaritet si dështim i Lulzim Bashës. Nuk flasin dot për rrugët me gropa, pasi i ka lënë Luli në këtë derexhe. Nuk flasin dot për rrugët e rrugicat pa ndriçim, sepse sigurisht edhe kjo është punë e Lulit. Nuk flasin dot as për hapësirat e gjelbra e as për transportin publik, pasi qytetarëve u kujtohet trami i famshëm i Lulit. Dhe, sigurisht, nuk flasin dot as për dështimin e Bashkisë Tiranë për të trajtuar me ndihmë ekonomike familjet në nevojë apo për banesat sociale që i gjetën gati dhe ishin aq të paaftë sa nuk arritën as t’i shpërndajnë në 4 vjet”, tha deputetja Xhaçka.

Këto akuza në largësi midis dy kandidatëve për bashkinë e kryeqytetit vijnë në prag të nisjes së fushatës zyrtare për zgjedhjet e 21 qershorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat