Nishani merr pjesë në Samitin e Paqes në Turqi

Shqipëria

Nishani merr pjesë në Samitin e Paqes në Turqi

Më: 25 prill 2015 Në ora: 14:33

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me ftesë të homologut të tij të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, mori pjesë në Samitin e Paqes dhe ceremonitë e përkujtimit të 100-vjetorit të Betejave Tokësore dhe Detare të Galipolit zhvilluar në Stamboll, më 23 dhe 24 prill 2015. Në këto ceremoni morën pjesë mbi njëzet krerë shtetesh, si dhe një numër i madh kryeministrash, kryeparlamentarë, ministra të jashtëm dhe përfaqësues të tjerë të vendeve të angazhuara në luftë si dhe të atyre që kanë humbur bashkëkombësit e tyre në këto beteja.

Presidenti i Republikës për nder të luftëtarëve me kombësi shqiptare të rënë në betejat e Galipolit, por jo vetëm, vendosi në Monumentin e Heroit një kurorë me lule në emër të Shqipërisë. Gjithashtu Presidenti Nishani bëri homazhe në varret e ushtarëve të rënë në këtë betejë.

Kreu i Shtetit mori pjesë edhe në ceremonitë e organizuar nga Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriut në monumentin Cape Helles Commonëealth, ndërtuar për nder të luftëtarëve të rënë të rënë në këto beteja, britanikë, irlandezë, australianë, neozelandezë e kanadezë. Këto ceremoni u kryesuan nga Princi Charles i Uellsit si dhe Presidenti i Irlandës Higgins ku i pranishëm ishte dhe Presidenti i Turqisë Erdogan.

Gjatë pjesëmarrjes në aktivitetet e Samitit dhe në ceremonitë përkujtimore të Betejave të Galipolit, Presidenti i Republikës pati rastin të bashkëbisedonte për çështje me interes dypalësh dhe shumëpalësh me Presidentin e Turqisë Erdogan, Princin Charles të Uellsit, kryeministrin e Zelandës së Re, si dhe me homologë të vendeve të rajonit, Presidentin maqedonas Ivanov, si dhe Presidentin e Pakistanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat