Ngjela: Nuk ka tranzicion, ka inerci të sistemit totalitar

Shqipëria

Ngjela: Nuk ka tranzicion, ka inerci të sistemit totalitar

Më: 24 prill 2015 Në ora: 23:23

Në një konferencë idesh dhe debati mbi tiparet e tranzicionit shqiptar, Spartak Ngjela hodhi tezën kontroversale se “nuk ka pasur një tranzicion shqiptar”. Sipas tij, këto 25 vite janë një rënie në inerci e sistemit totalitar komunist dhe klasa politike shqiptare në këto vite ka pasur të gjitha tiparet totalitare, të absolutizmit, pushtetit personal, përdorimit të sistemit të drejtësisë etj.

“Tranzicioni në një sens historik që ka lidhje me sistemet politike të ndërtimit të një shoqërie modern, qëndron si një gjendje aktuale vetëm atëherë kur, në fillesat e tij, pasi ka mbaruar apo është përmbysur një sistem politik, ka nisur implementimi i një sistemi të ri. Por nuk duhet të mos kujtojmë këtu se tranzicioni për kalimin nga një sistem në tjetrin, mund të jetë edhe një lëvizje e pandërprerë që ka nisur ekzistencën e vet që në kohën e sistemit të vjetër.

Nëse do ta shohim gjendjen shqiptare në këtë prizëm, edhe nëse do ta krahasojmë këtë edhe me ndryshimet dhe tranzicionet në vendet komuniste të Europës Qendrore, konstatojmë se nëse në vendet e Europës Qendrore sistemi i ri kishte nisur të merrte jetë që brenda sistemit diktatorial komunist, në Shqipëri kjo ka qenë absolutisht e pamundur. Diktatura shqiptare e komunizmit nuk ka lejuar asnjë iniciativë demokratike dhe totalitarizmi ishte një fenomen tërësisht i dominuar nga totaliteti ideologjik që funksiononte vetëm si një tirani absolute, si pushtet personal i vetëm një personi. Absolutizmi i një pushteti tiranik në Shqipërinë komuniste që zgjati për 45 vjet, në fakt krijoi në koshiencën politike të shtresës politike që do vinte më pas, një kulturë të mirëfilltë, e cila asnjëherë që nga viti 1992 nuk u largua nga periudha që po analizojmë, dhe ai ekziston ende edhe sot”, – tha ndër të tjera avokat Ngjela gjatë fjalës së tij në Konferencën Ndërkombëtare në kuadër të Ditëve të Studimeve Shqiptare mbi tranzicionin, organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës.

Duke sqaruar se pse tranzicioni dështoi së qeni i tillë në Shqipëri, Ngjela shprehet se “një tranzicion nga një gjendje politike në një tjetër mund të jetë një kontinuitet me nismë që nga sistemi i vjetër, dhe ai mund të jetë edhe një nismë e re që vjen pas një përmbysjeje – në të njëjtën mënyrë na duhet të theksojmë se, për gjendjen specifike të diktaturës shqiptare, tranzicioni ishte një fillim ex novo, i cili pikërisht pse ishte dhe duhej të ishte i tillë, dështoi për të qenë një tranzicion i mirëfilltë dhe përfundoi vetëm si një ecje inerciale, që sigurisht që do të vinte pas përmbysjes së pushtetit diktatorial absolut personal në Shqipëri”.

Si përfundim, Ngjela dha disa argumente pse ai kishte dalë në përfundimin se “gjendja jonë është thjesht një inerci e diktaturës, e cila u ndërpre, por ende nuk është shuar si lëvizje”.

Argumentet e tij ishin: “Në Shqipërinë e pas vitit 1992, asnjëherë s’ka pasur zgjedhje të lira dhe pushteti politik ka qenë gjithmonë një pushtet personal absolutist. Asnjëherë nuk ka pasur pushtet gjyqësor të pavarur. Asnjëherë nuk janë respektuar të drejtat e njeriut. Asnjëherë nuk është respektuar puna si dinjitet i individit, dhe kapitali si aset kombëtar, pavarësisht nga karakteri privat i tij. Asnjëherë nuk ka pasur një qeveri që të dijë që nëpërmjet reformave të shmangë varfërinë dhe përplasjen sociale në Shqipëri”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat