Nis kongresi i parë multidisiplinor Spitali Amerikan mbledh gjithë mjekët

Shqipëria

Nis kongresi i parë multidisiplinor Spitali Amerikan mbledh gjithë mjekët

Më: 24 prill 2015 Në ora: 19:06

Është organizuar sot në Tiranë Kongresi i parë Multidisplinor Mjekësor Ndërkombëtar nga Spitali Amerikan. Kongresi me temën “Edukimi në vazhdim përmes profesionistëve të mjekësisë” është i pari i këtij dimensioni në specifikën e vet dhe ka një përfshirje mbarëbotërore, duke sjellë në Tiranë figura të shquara të shëndetësisë nga specialitete të ndryshme të mjekësisë botërore.
Lindita Shosha, Presidente e Internacional Medical Congres Albania, u shpreh se është një çast shumë i rëndësishëm për mjekësinë shqiptare.

“Ky kongres, zhvillohet për herë të parë nga Spitali Amerikan. Misioni kryesor është që ne, çdo ditë e më tepër të jemi pranë njerëzve që na kanë nevojë. Sot ky kongres është një shprehje shumë e mirë e këtij bashkëpunimi, përmbledh mjekë nga të gjitha spitalet, nga të gjitha institucionet nga vendi dhe nga bota. Ne të gjithë së bashku sot do të jemi me njëri-tjetrin në një event ku të tregojmë dhe të marrim,” – tha Shosha.
Ministri Ilir Beqaj, i pranishëm në konferencë, tha se të tilla nisma duhet të ishin marrë më herët.

“Unë që kam marrë përsipër të bëj detyrën e Ministrit të Shëndetësisë, e shikoj ofertën e shërbimit shëndetësor si një të vetme. Shumica dërmuese e shërbimit jepet nga specialistë shqiptar, nga profesionistë të shëndetësisë shqiptare që do të thotë që ka akoma më shumë hapësirë për sinergji. Eshtë tamam momenti kur ne po vlerësojmë eksperiencën 5 vjeçare 2010-2014 të ciklit të edukimit në vazhdim, po analizojmë atë dhe është momenti kur po ndërtojmë ciklin e ardhshëm dhe unë besojë se çfarë do të jetë sot, do të jetë përsëri një vlerë e shtuar” – u shpreh Beqaj.
Figura të shquara të mjekësisë në Shqipëri dhe Kosovë u nderuan në këtë kongres me certifikata të mirënjohjes për arritje dhe kontribute ndër vite, përgatitjen e brezave të rinj të mjekëve si dhe dedikimin e jetës së tyre në shërbim të pacientëve dhe vlerave humane që mishëron mjeku profesionist.

Ky kongres është një mundësi e mirë që mjekët pjesëmarrës të mund të përftojnë 20 kredite përgjatë harkut kohor të dy ditëve që zgjat kongresi multidisiplinar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat