Gjermania do të asistojë në arsimin profesional

Shqipëria

Gjermania do të asistojë në arsimin profesional

Më: 24 prill 2015 Në ora: 19:05

Kryeministri Rama theksoi se qeveria shqiptare mikpret me mirënjohje çdo ndihmë, por edhe çdo sipërmarrës potencial
Gjermania do të ofrojë mbështetjen e saj për të asistuar në zhvillimin e arsimit profesional në Shqipëri.

Gjatë vizitës në Stuttgart, kryeqendra e landit të tretë më të madh në Gjermani, Baden Wurttemberg, kryeministri Edi Rama takoi kryeministrin e qeverisë së landit, Winfried Kretschmann, i cili ofroi mbështetjen për të asistuar në zhvillimin e arsimit profesional, por edhe për të parë mundësitë e një bashkëpunimi aktiv edhe në fusha të tjera.

“Në fushën e energjisë dhe të ambientit, si dhe në bashkëpunimin midis policive ka gjithashtu, pika ku ne mund të bashkëpunojmë”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij të mikpritjes, Kretschmann i shprehu kryeministrit Rama, konsideratën për ndërmarrjen e një kursi të vështirë reformash, por të rëndësishme për vendin dhe perspektivën evropiane të tij.

“Që kur keni marrë detyrën, i nderuar zoti kryeministër, ju keni çuar në mënyrë vendimtare përpara reformat. Këtu bëjnë pjesë reformat e administratës publike, e drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe reformat në fushën e taksave, tatimeve dhe tregut të punës. Ne jemi të ndërgjegjshëm që rruga që keni marrë nuk është e thjeshtë, por jam i sigurt që durimi dhe të rezistuarit do të shpërblehen. Ne dëshirojmë që me të gjitha fuqitë tona t’ju mbështesim juve”, u shpreh Kretschmann.

Në takim u fol për nxitjen e bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e dijes dhe posaçërisht të arsimit profesional. Sipas Kryeministrit Rama, ajo çka Shqipëria mund të përfitojë nga Gjermania është sidomos ekspertiza e nivelit të lartë.

“Ne besojmë shumë që në çdo kontakt me këtë vend dhe institucionet e këtij vendi është një oportunitet i veçantë për të mësuar. Ka një sërë fushash ku ka shumë për të mësuar prej jush. Ne po shohim dita-ditës, në Shqipëri, përfitimin e të mësuarit prej jush, për shembull nga sistemi dual në arsimin profesional. Vetëm në vitin e parë të adoptimit të këtij sistemi, falë bashkëpunimit me Gjermaninë dhe marrjes së eksperiencës gjermane, ne e kemi parë një rritje 40% të të rinjve që hyjnë në arsimin profesional. Po ashtu, kemi konstatuar që të rinjtë që mbarojnë arsimin profesional kanë 20% më shumë shanse, sesa të rinjtë që mbarojnë arsimin e mesëm të përgjithshëm për të gjetur një punë dhe vetëm 1% më pak sesa ata që mbarojnë universitetin. Ky është një shembull modest që tregon sesa shumë gjëra ne mund të bëjmë në Shqipëri, nëse na jepet mundësia për të mësuar nga eksperiencat më të përparuara në Evropë dhe posaçërisht në Gjermani. Sigurisht që, ka një sërë fushash specifike që i përmendi edhe Kryeministri, ku ne besojmë shumë se mund të përfitojmë nga eksperienca dhe këshillat tuaja”, u shpreh Kryeministri Rama.

Kryeministri Rama theksoi se qeveria shqiptare mikpret me mirënjohje çdo ndihmë, por edhe çdo sipërmarrës potencial.

“Më lejoni t’ju falënderoj nga zemra zoti Kryeministër! T’ju shpreh vullnetin tonë të plotë për të bashkëpunuar me ju dhe njëkohësisht për të mikpritur të gjithë asistencën teknike nga ana juaj, por dhe të çdo sipërmarrjeje të landit tuaj që ka interes të investoje në Shqipëri”.

Kryeministri zhvilloi një bashkëbisedim me investitorë të automobilistikes të landit të Baden Ëurttemberg-ut, në “Mercedes-Benz Museum”.

Kryeministri Edi Rama bëri një panoramë të zhvillimeve në Shqipëri, reformave ekonomike, fiskale dhe administrative, sikundër iniciativat në kuadrin ligjor për lehtësimin e klimës së bërjes biznes dhe investimeve.

Në takim u ftuan investitorët gjermanë që operojnë në këtë sektor për të eksploruar mundësitë e investimeve në Shqipëri, ku sistemi fiskal dhe kostot e punës janë përparësi. Po ashtu u ofrua e gjithë përkrahja e qeverisë shqiptare për suksesin e investimit në Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat