Balla batuta me Majlinda Bregun në komision: E ke inat Grida Dumën. Bregu: S’je elegant në TV

Shqipëria

Balla batuta me Majlinda Bregun në komision: E ke inat Grida Dumën. Bregu: S’je elegant në TV

Më: 21 prill 2015 Në ora: 13:28

Prezantimi i kandidatëve kryesorë për bashkitë e vendit duket se ka lënë pas dore punën e deputetëve në komisionet parlamentare. Komisioni i Ligjeve ka shtyrë shqyrtimin e projektligjit të qeverisë “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish­Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Edhe pse ishte caktuar në axhendë, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, njoftoi shtyrjen për shkak se relatori i projektligjit, kandidati për Bashkinë e Fierit, Armando Subashi, ishte i zënë me fushatën në zonën e tij.

Ndërkohë që replikat dhe batutat për fushatën nuk kanë munguar edhe në Komisionin e Integrimit. Kryetarja e Komisionit, demokratja Majlinda Bregu, në disa raste ka kërkuar vëmendjen e deputetëve dhe angazhimin e tyre për diskutuar rreth projektligjit “Për Postën shqiptare”, dhe jo të mendonin si të iknin sa më parë nga mbledhja. “Keni ndonjë koment apo ndonjë vërejtje, përveçse e keni mendjen të gjithë për të ikur dhe për t’u marrë me fushatë?”, ironizoi Bregu me kolegët.

Edhe në këtë mbledhje nuk kanë munguar batutat për kandidaten e Partisë Demokratike në qytetin e Durrësit, Grida Duma. Në këtë mbledhje ishte i pranishëm ish­zëvendësministri i Integrimit, Majlind Lazimi, aktualisht drejtor i Postës, por sipas kryetares së Komisionit ky i fundit nuk ishte i ftuar zyrtarisht të ishte i pranishëm. “Je i paftuar me shkresë? Ke të drejtë në fakt, se unë nuk e ngrita kokën as që të të shihja fare që ishe këtu Majlind, të kërkoj ndjesë. E di që je drejtori i Përgjithshëm i Postës, kështu që mirëserdhe, megjithëse i paftuar”, tha Bregu.

Ndërkohë që socialisti Taulant Balla ka ironizuar me Bregun, duke thënë se ka inat me të gjithë zëvendësministrat e Integrimit, duke i përmendur rastin e Grida Dumës. “Ish zëvendësministrat e Integrimit i ka inat Majlinda… Ka lidhje me Gridën(Duma)”, ironizoi Balla. Ndërkohë që Bregu e ka quajtur socialistin si jo elegant edhe në përballjet e fundit televizive me kandidaten e Durrësit. “Ka të bëjë me inatin që ke ti me të gjithë ata të qeverisë që ishte. E ka problemin shumë të madh, që kur ka filluar të mos jetë më elegant nëpër emisionet televizive”, iu përgjigj ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat