Ambasadori francez: Në 2 muaj, 791 azilkërkues, të shqetësuar. Mashtruesit po i vjedhin shqiptarët

Shqipëria

Ambasadori francez: Në 2 muaj, 791 azilkërkues, të shqetësuar. Mashtruesit po i vjedhin shqiptarët

Më: 21 prill 2015 Në ora: 08:25

“Vetëm në 2 muajt e parë të vitit 2015, në Francë janë regjistruar 791 azilkërkues nga Shqipëria dhe në krahasim me një vit më parë kemi një rritje të numrit”. Shifrat bëhen me dije nga ambasadori i Francës në vendin tonë, Bernard Fitoussi, i cili e cilëson këtë fenomen si të papranueshëm. Ambasadori bën me dije se ka kontaktuar edhe me kryeministrin Edi Rama në lidhje me këtë çështje, ndërsa thekson se në Francë nuk ka vend për azilkërkuesit ekonomikë.


Z. Fitoussi, a keni shifra të numrit të azilkërkuesve shqiptarë në Francë?

Në vitin 2014 numri i personave që kanë kërkuar azil në Francë ishte 2995, ndërsa vetëm në muajt e parë të këtij viti është 791. Kjo situatë është e papranueshme, sepse azili në Francë është azil politik, i cili është i rezervuar për personat që duhet të mbrohen nga dhuna e shteteve diktatoriale, të cilat degradojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Shqipëria është një vend demokratik dhe një vend i lirë. Në Francë, autoriteti më i lartë juridik, që është Këshilli i Shtetit, para pak kohësh ka deklaruar se Shqipëria bën pjesë në vendet me origjinë të sigurt. Prandaj është e pamundur që në Francë shqiptarët të fitojnë azil politik. Kërkesa e një azili të tillë është një gabim për 2 arsye. E para, sepse ata që shkojnë në Francë bëhen viktima të atyre që i dërgojnë atje dhe së dyti, të japësh azilin politik është njësoj si të mos njohësh të gjitha ato përpjekje që Shqipëria dhe shqiptarët kanë bërë 20 vitet e fundit për të ndërtuar një shtet të lirë, i cili ka bërë kërkesën dhe në një të ardhme do të jetë anëtar i Bashkimit Evropian.

Një nga arsyet që ju ambasador ia atribuuat rritjen e kërkesave për azil është organizmi nga ana e bandave kriminale. A ka ambasada franceze të dhëna në lidhje me këtë fenomen?

Natyrisht, është e qartë që familjet shqiptare, kryesisht ato të varfra, janë viktima të hajdutërisë së personave që i dërgojnë në Francë. Ne nuk kemi informacione të detajuara mbi këto lloj organizatash, por dëgjoj atë çfarë thotë kryeministri tuaj, atë çfarë thotë ministri i Brendshëm, të cilët janë shprehur shumë qartë në lidhje me agjencitë e udhëtimit, që i gënjejnë dhe i mashtrojnë qytetarët duke u thënë se në Francë do gjejnë azil, punë apo strehim.

Cilat janë kërkesat kryesore të shqiptarëve për azil në Francë?

Shqiptarët kërkojnë azil politik, pasi azili ekonomik nuk ekziston. Ata kërkojnë azil politik sikur të vijnë nga vendet totalitare, gjë që nuk është aspak e vërtetë.

A e dëmton regjimin e vizave kjo tendencë e madhe dhe në rritje e azilkër-kuesve, jo vetëm në Francë, por edhe në vende të tjera të Evropës?

Keni shumë të drejtë që e bëni këtë pyetje. Ne do bëjmë çdo gjë që është e mundur, në mënyrë që ta ruajmë këtë liri thelbësore, që është liria e qarkullimit të lirë, pa viza për shqiptarët. Fitimi i kësaj të drejte ka qenë shumë i vështirë. Tani duhet të bëjmë ç’është e mundur që ta ruajmë këtë liri, e cila është shumë e rëndësishme. Ata që shkelin dhe vënë në rrezik këtë liri kanë mbi shpatullat e tyre një përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe për të gjithë shqiptarët. Ne e përgëzojmë shumë qeverinë shqiptare, e cila po lufton ashpër kundër çdo lloj trafikimi të qenieve njerëzore, sepse e di shumë mirë se lufta kundër këtij fenomeni është një luftë për të mbrojtur qarkullimin e lirë të këtyre personave.

Ka shumë qytetarë që po lexojnë këtë intervistë dhe që mund të kenë planifikuar ikjen e tyre në Francë. Çfarë i pret ata në momentin që mbërrijnë në shtetin francez?

Në qoftë se ju mendoni të shkoni në Francë duke u mbështetur në një mashtrim, gaboheni rëndë. Ju duhet të formoheni në Shqipëri, të ndërmerrni aktivitetet tuaja ekonomike në Shqipëri, të hapni ndërmarrje, të punoni dhe nëse doni, që me partnerë francezë ta zgjeroni këtë aktivitet, ju jeni të mirëpritur. Nuk duhet ta lejoni veten të mashtroheni nga këta hajdutë, të cilët ju premtojnë azil në Francë. Nuk ka vend në Francë për kërkues azili politik të gënjeshtërt. Në Francë ka vend për sipërmarrësit, studentët, për të gjithë ata që kanë aktivitet intelektual. E di që është e vështirë të ndërtohet kjo në Shqipëri, por duhet të dini që në Francë sot ka 3 milionë të papunë. Doni që t’i bashkoheni kësaj kategorie? Doni të bëheni pjesë e atyre 1664 shqiptarëve, të cilët janë kthyer mbrapsht në Shqipëri?!

Keni pasur takime me kryeministrin Rama dhe ia keni komunikuar shqetësimin tuaj në lidhje me azilkërkuesit?

Nuk është aspak e udhës që ambasadorët të flasin në publik për ato që diskutojnë me autoritetet e vendit. Megjithatë, pa nxjerrë ndonjë sekret, dua të them se kryeministri shqiptar është plotësisht në dijeni të shqetësimeve tona në lidhje me këtë fenomen, i cili është shumë i rëndë./balkanweb

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat