Mjekët, skema e punësimit

Shqipëria

Mjekët, skema e punësimit

Më: 21 prill 2015 Në ora: 08:20

Formula e re për punësimin e mjekëve dhe infermierëve në listëpritje parashikon përzgjedhjen e tyre nga komisione pranë Ministrisë së Shëndetësisë, ndryshe nga sa ndodhte më parë, kur punësimi bëhej nga drejtorët e qendrave shëndetësore. Nga dita e djeshme, MSH ka nisur të bëjë publike emrat e mjekëve dhe infermierëve, ku fillimisht kanë dalë ata të rrethit të Tiranës dhe në ditët në vijim do të dalin edhe emrat me kontrata e reja në gjithë republikën. “Shekulli” publikon sot të gjitha vendet vakante në 9 rajonet e vendit, ku nevojat në total janë për 310 punonjës në shërbimet shëndetësore. Komisionet, tashmë janë në fazën e fundit të shqyrtimit të dosjeve, të cilat janë dorëzuar nga aplikantët më herët, bashkëngjitur me plotësimin e një formulari me gjeneralitetet dhe kërkesën e punësimit.

Emërimi

Udhëzimi i firmosur nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj parashikon që punësimi i profesionistëve të shëndetësisë; mjekë, infermierë dhe drejtorë të qendrave shëndetësore të përzgjidhen sipas kritereve të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë. Kjo e fundit organizon procedurën e konkurrimit për vendet vakante në nivel rajonal, çdo tre muaj. Me krijimin e vendit vakant, drejtori i Qendrës Shëndetësore paraqet për çdo rast me shkresë zyrtare informacionin për vendet e lira për mjekë dhe infermierë. Autoriteti Shëndetësor Rajonal ose Drejtoria e Shëndetit Publik pas përfundimit të çdo tremujori, paraqesin pranë njësisë përkatëse në Ministrinë e Shëndetësisë, brenda datës 20 të muajit pasardhës, të dhënat për vendet vakante që parashikohen për tremujorin pasardhës. Në rastet kur krijimi i vendeve vakante ndodh për shkaqe të paparashikuara, drejtori i Qendrës Shëndetësore njofton pranë ASHR-së ose DSHP-së dhe propozon pranë njësisë përkatëse në MSH, emërimin e përkohshëm të një kandidati. Ministria e Shëndetësisë miraton emërimin e përkohshëm në vendin vakant të kandidaturave deri në përfundimin e procedurave të konkurrimit dhe emërimit nga ministri, të kandidatit fitues për punësim të përhershëm./shekulli

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat