Eksodi, rrëfimi nga Gjermania: Morëm leje 6-mujore e na futën në kurs gjuhe

Shqipëria

Eksodi, rrëfimi nga Gjermania: Morëm leje 6-mujore e na futën në kurs gjuhe

Më: 21 prill 2015 Në ora: 07:48

“Unë dhe bashkëshorti mbaruam Fakultetin e Ekonomisë, trokitën në të gjitha dyert e institucioneve dhe asnjë derë nuk ishte e hapur për ne. Të ardhurat nga shteti kanë qenë vetëm 28 mijë lekë të vjetra, që do të thotë se nuk mund të siguronim bukën e gojës”. Mes kësaj varfërie ekstreme dhe pamundësisë për të gjetur një punë, zgjidhja për ta ishte vetëm të largoheshin nga Shqipëria. Nuk e dinin se çfarë i priste atje dhe ende sot nuk kanë një përgjigje përfundimtare, por e vetmja gjë që kërkojnë është të mos kthehen më në Shqipëri. Ashtu si mijëra shqiptarë, çifti nga qyteti i Kukësit kërkon një jetë më të mirë, ndërsa përmes këtij rrëfimi që vjen nga Gjermania, bashkëshortja që kërkon të mos identifikohet, tregon eksperiencën për të shkuar drejt një vendi të panjohur.

Zonjë, meqenëse ju dëshironi që anonimati juaj të ruhet, pasi i druheni rikthimit në Shqipëri, a mund të na thoni fillimisht moshën dhe statusin tuaj, jeni e martuar? Keni fëmijë?

Jam e martuar, por fëmijë nuk kam.

Prej sa kohësh ndodheni në shtetin gjerman?

Prej tre muajsh.

Cilat ishin arsyet që ju çuan të emigronit drejt Gjermanisë?

Ne u larguam për kushte ekonomike, pasi jeta jonë sa vinte dhe vështirësohej. Unë dhe bashkëshorti mbaruam Fakultetin e Ekonomisë, trokitën në të gjitha dyert e institucioneve dhe asnjë derë nuk ishte e hapur për ne. Ne kemi jetuar me shtëpi me qira dhe për qiranë e shtëpisë na ndihmonin të afërmit. Të ardhurat nga shteti kane qenë vetëm 28 mijë lekë të vjetra, që do të thotë se nuk mund të siguronim bukën e gojës. 4 vjet jemi endur. Bashkëshorti ka rreth 5 vjet që troket në të gjitha dyert dhe asnjë nuk është përgjigjur. Madje as pastruese, qoftë edhe pastruese do kisha punuar. Të mbarosh fakultetin dhe të kërkosh punë pastruese, dhe asgjë… Jemi të zhgënjyer jashtë mase nga shteti ynë. Me zor mbaruam shkollën, me shumë sakrifica për të përballuar 4 vitet, por me shpresë se do të gjenim një punë dhe jo të endeshim korridoreve të institucioneve.

Mund të na flisni pak për kushtet dhe kujdesin që keni gjetur në Gjermani?

Kujdesin që kemi marrë për 3 muaj që jemi këtu, nuk e kemi marrë për 27 vite jetesë në Shqipëri. Që në momentin e parë, sa jemi dorëzuar në zyrën e emigracionit na kanë marrë të dhënat. Pastaj na kanë dërguar në kamp, ushqim na kanë dhënë. Kushtet në kamp kanë qenë fantastike. Na japin një pagesë me lekë në dorë një herë në javë. Një natë isha e sëmurë dhe njoftuan ambulancën, për 3 minuta ambulanca ishte atje. Më bënë skaner, analizat e gjakut, na kanë bërë vaksina. Tani ka dy muaj që jemi në një banesë. Jetojmë me familje të tjera, por kemi dhomën tonë. Në momentin që kemi ardhur, na kanë dhënë një pagesë prej 400 eurosh në dorë dhe na thanë që do ju njoftojmë më vonë, na kanë regjistruar në kurs për mësim gjuhe.

Nga zyra e emigracionit çfarë ju është komunikuar? A ka shpresë për plotësimin e dokumenteve në mënyrë që të ushtroni aktivitet me dokumentacion të rregullt?

Atje thjesht na kanë dhënë një formular për të plotësuar. Në momentin që kemi dalë nga kampi, na kanë dhënë leje qëndrimi 6-mujore, por gjatë kësaj kohe mund të na japin edhe ndonjë letër më të rëndësishme.

Ju kanë thënë se do ju kthejnë në Shqipëri, duke qenë se Gjermania nuk pranon azilkërkues ekonomikë?

Jo, kjo gjë nuk na është komunikuar nga asnjë person.

Përse zgjodhët Gjermaninë dhe jo një vend tjetër?

Sepse kemi dëgjuar që është shtet i fuqishëm dhe nga informacionet që kemi marrë në internet, realisht është një shtet që po pranon azilkërkues.

Biletat e udhëtimit janë prerë nga ju apo kemi qenë të organizuar nga agjenci të veçanta?

Biletat e udhëtimit i kemi prerë në Kosovë dhe kemi qenë thjesht me qytetarë që kemi rastisur.

Në Kosovë si kontaktuat me agjencinë që ju çoi në Gjermani?

Për këtë nuk kam shumë informacion se burri është marrë me këtë pjesë.

A ju premtoi njeri se në Gjermani ju garantohet azili politik?

Jo, për këtë thjesht nuk kemi pyetur fare në agjenci. Thjesht jemi interesuar për udhëtimin nëse do të na kthejnë nëpër dogana apo jo, ndërsa në lidhje me azilin thjesht kemi pyetur njerëz që kanë ikur më përpara, nëse ekziston mundësia të na kthejnë deri sa të dorëzohemi./balkanweb

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat