Deputetët që kandidojnë në zgjedhje para 2 majit duhet të lënë mandatin

Shqipëria

Deputetët që kandidojnë në zgjedhje para 2 majit duhet të lënë mandatin

Më: 20 prill 2015 Në ora: 19:58

Tetë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, katër nga mazhoranca dhe katër nga opozita, të propozuar si kandidatë për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, pritet të lënë mandatet parlamentare brenda datës dy maj. Sipas procedurave, deputetët duhet të depozitojnë në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit në Kuvend kërkesën për lënien e mandatit, duke i hapur rrugën kandidimit të tyre në zgjedhjet e ardhshme.

Deputetët që nuk do të jenë më në parlament pas datës dy maj janë:Armando Subashi(PS), i propozuar për kryetar bashkie në Fier; Artur Bushi(PS), kandidat për kreun e bashkisë Krujë; Majlinda Bufi (PS), për bashkinë Roskovec dhe Miranda Rira(LSI), që do të konkurojë për bashkinë e Prrenjasit.

Ndërsa katër deputetët e opozitës që do t’i largohen jetës parlamentare janë:Ardian Turku (PD), i cili do të jetë kandidat për bashkinë e Elbasanit; Besnik Duzhaj për bashkinë Tropojë; Voltana Ademi për bashkinë Shkodër, si dhe Halim Kosova, kandidat i PD-së për bashkinë Tiranë.

Kështu, pas miratimit të kërkesës së tyre nga Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet, Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë njofton KQZ-në për krijimin e vakancës. Mandati i ndëprerë i kalon kandidatit vijues të listës të së njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat