Bushati: Në maj Shqipëria mban samitin për terrorizmin

Shqipëria

Bushati: Në maj Shqipëria mban samitin për terrorizmin

Më: 20 prill 2015 Në ora: 19:08

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati gjatë një interviste të dhënë për Zërin e Amerikës foli për rolin e Shqipërisë në çështjet rajonale. Sipas Bushatit, vendi ynë ka një rol konstruktiv në rajon gjë që është vlerësuar edhe nga Sekretari i Shtetit John Kerry.

“Shqipëria do të mirëpresë një samit që do të zhvillohet në maj, si vazhdim i samitit që presidenti Obama organizoi në Uashington. Risia e samitit të Tiranës ka të bëjë me gamën e gjerë të çështjeve që do të trajtohen dhe pjesëmarrës nuk do të jenë vetëm politikanë, por edhe specialistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga gjithë rajoni.

Vendi ynë ka një rol të rëndësishëm në rajon pasi është anëtare e NATO-s, është vend avokat për shtetet e tjera që synojnë të anëtarësohen në NATO dhe për marrëdhëniet e Aleancës me to. Rajoni po kthehet gjithashtu në një rrjet të rëndësishëm energjetik, me infrastrukturën e duhur për të cilën ka nevojë BE”, tha Bushati për Zërin e Amerikës.

Gjithashtu Ministri i Jashtëm tha se me John Karry kanë diskutuar edhe për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke marrë mbështetje nga FBI. “Ne po marrim mbështetje edhe nga FBI për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe për përforcimin e kapaciteteve administrative. Reforma në drejtësi është themelore jo vetëm për rrugën e anëtarësimit në BE, por edhe për jetën sociale e publike të vendit. Shtetet e Bashkuara kanë investuar jo pak për të gjitha këto dhe konstatoj se sot jemi në të njëjtën gjatësi vale sa u takon instrumenteve politikë për realizimin e këtyre objektivave”, u shpreh ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat