Naço pret Jasharin: Bashkëpunim me Maqedoninë për të luftuar krimin

Shqipëria

Naço pret Jasharin: Bashkëpunim me Maqedoninë për të luftuar krimin

Më: 20 prill 2015 Në ora: 18:50

Shqipëria dhe Maqedonia vazhdojnë bashkëpunimin në sistemin gjyqësor për të luftuar krimin. Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, priti sot homologun e tij maqedonas, Adnan Jasharin, duke kujtuar tri marrëveshjet e nënshkruara në vitin 1998 mes dy vendeve.

Marrëveshjet dypalëshe, “Për ndihmë juridike në fushën penale dhe civile”, marrëveshja “Për njohjen e vendimeve gjyqësore penale”, si dhe ajo “Mbi ekstradimin”, janë cilësuar si mjaft të suksesshme dhe janë vlerësuar për bashkëpunim e ndërsjellët që kanë mundësuar.

Ndërkohë që dy ministrat theksuan rëndësinë e shkëmbimit të eksperiencave për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve, si dhe funksionimin e Këshillit Gjyqësor në Maqedoni dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë në Shqipëri.

Në konferencën e përbashkët ministri Naço theksoi se, bashkëpunimi mes dy qeverive do të vazhdojë.

“Ishte kënaqësi të kisha në takim z. Jashari, nga ku ramë dakord se duhet të përfitojmë reciprokisht, sepse jemi të bindur se krimi nuk njeh kufi dhe ka nevojë për bashkëpunimin e të dyja institucioneve tona. Sigurisht që duke qenë vende të vogla, në rajon mund të mos jemi lider në aspektin ekonomik, por të dy palët ndajmë mendimin se me reformat e bëra, kemi mundësi për të qenë lider përsa i përket sistemit të drejtësisë. Ne kemi gjyqtarë dhe prokurorë shumë të mirë, ndonëse mbetet akoma punë për të bërë në mënyrë që të dyja vendet tona të shkëmbejnë informacionin, të bashkëpunojnë më njëri tjetrin dhe në çdo rast të kemi institucione të pavarura dhe me integritet. Të dy palët kemi qenë në të njëjtën gjatësi vale, të bindur për përpjekjet që duhet të bëjmë në rajon në luftën ndaj financimit të terrorizmit dhe krimit të organizuar. Shkëmbimi i informacionit në kohë mes dy ministrive apo institucioneve të tjera ligjzbatuese është shumë i rëndësishëm”, deklaroi Naço.

Ministri Jashari: Vazhdon marrëveshja e ekstradimit

Ministri maqedonas i Drejtësisë, Jashari, sqaroi se procesi i ekstradimeve është realizuar nga të dyja palët dhe nuk ka pasur pengesa, duke bërë të mundur ekstradimin e 6 shtetasve maqedonas nga Shqipëria deri në vitin 2014.

“Republika e Maqedonisë dhe Republika e Shqipërisë e bazojnë bashkëpunimin e tyre në tre marrëveshje të rëndësishme të ratifikuara nga vitit 1998. Tre marrëveshjet i diskutuam edhe sot me ministrin Naço dhe ramë dakord se dy shtet përmes aktiviteteve që ndërmarrin i kanë respektuar në praktikë këto tre marrëveshje. Gjithashtu biseduam edhe për çështje që janë të lidhura me krimin e organizuar dhe sikurse ministri e theksoi, krimi nuk njeh kufi, as përkatësi etnike dhe as konvencionale. Përmes këtij bashkëpunimi besoj se do t’ia dalim për të realizuar qëllimin e hetimit të çdo forme apo dukurie, që në një farë mënyrë vlerësojmë se në të ardhmen mund të jetë e dëmshme për dy shtetet dhe qytetarët e tyre”, tha ndër Jashari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat