INSTAT: Nga 2010-a deri në 2015-n, 26 mijë banorë më pak

Shqipëria

INSTAT: Nga 2010-a deri në 2015-n, 26 mijë banorë më pak

Më: 20 prill 2015 Në ora: 17:51

Nga janari i vitit 2010 deri në janarin e 2015-s, popullsia në vend është zvogëluar me rreth 26 mijë banorë, si pasojë e shtesës natyrore të popullsisë dhe migracionit neto.

Ky është konkluzioni i INSTAT-it, sipas të cilit, në vitet 2011-2031, popullsia në Shqipëri në shumicën e qarqeve do të ketë rënie, me përjashtim të Tiranës, Durrësit dhe Vlorës.

Numri i banorëve të qarkut të Tiranës parashikohet të rritet më se 25% dhe nga 763.560 banorë në vitin 2011, të arrijë në 965.108 në vitin 2031.

Rritja e popullsisë në dy dekadat që vijnë, parashikohet të jetë shumë më e kufizuar në qarqet Durrës dhe Vlorë, me rreth 3%. Rënia më e shpejtë e popullsisë pritet të ndodhë në qarqet Kukës dhe Dibër në veri dhe në Gjirokastër në jug, ku popullsia pritet të zvogëlohet me rreth 30% deri në vitin 2031.

Pjesa tjetër e vendit do të përfshihet nga një rënie e popullsisë nga 10-20% deri në vitin 2031. Gjithçka lidhet me rolin negativ që vijon të luajë migracioni neto në rënien e popullsisë në shkallë vendi, pavarësisht se shtesa natyrore vazhdon të jetë pozitive.

Tirana dhe Durrësi, do të shënojnë një ndryshim më të lartë të popullsisë në shkallë vendi, përkatësisht 1.4 % dhe 0.8 %. Të gjithë qarqet e tjera shënojnë një koeficient më të ulët të ndryshimit të popullsisë, ku rezulton, se koeficientin më të ulët të ndryshimit të popullsisë e ka qarku i Gjirokastrës me -2.6%.

Një studim i kryer nga Instituti i Statistikave thekson se impakt të rëndësishëm në ndryshimin e popullsisë të qarqeve jep balanca e migracionit neto dhe lëvizjet e brendshme të popullsisë. Kështu, 10 qarqe përjetojnë më tepër flukse dalëse të popullsisë se sa hyrëse, ku si rrjedhim, kanë normë të migracionit neto të brendshëm negativ. Vetëm në 2 qarqe, Tirana dhe Durrësi, flukset hyrëse tejkalojnë ato dalëse, duke rezultuar me normë pozitive migracioni, duke vijuar si për gjatë 24 viteve të fundit, të jenë dy qarqet kryesore për migrantët e brendshëm.

Ndërsa popullsia në Shqipëri gjatë viteve 2010-2014 ka rënë mesatarisht çdo vit me 1.8 për mijë banorë, me rritje janë vetëm 2 qarqe, Tirana dhe Durrësi. Qarku i Tiranës ka rritjen më të lartë, mesatarisht me 1.4 % çdo vit në periudhën 2010-2014, ku rreth mbi 10 mijë banorë i shtohen mesatarisht çdo vit në këtë 5-vjeçar.

Qarku me rënien më të madhe gjatë 2010- 2014 është i Gjirokastrës me 2.7 % mesatarisht çdo vit, ose me terma absolut, ulet me rreth 2 mijë banorë/vit, edhe pse fluksi i migrimit është ulur, krahasuar me periudhën e mëparshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat