Gjobiten 28 nënpunës që fshehën pasurinë, mes tyre ndihmësi i Nishanit

Shqipëria

Gjobiten 28 nënpunës që fshehën pasurinë, mes tyre ndihmësi i Nishanit

Më: 20 prill 2015 Në ora: 16:50

ILDKP ka gjobitur sot 28 nënpunës publikë që nuk kanë përmbushur detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë.

Nga verifikimet për kontrollin e pasurive të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë, janë evidentuar disa shkelje nga 28 deklarues publikë, për të cilët është aplikuar masa administrative dhe gjobë në vlerën 100.000 lekë. Mes subjekteve renditen inspektorë, këshilltarë, doganierë, përgjegjës sektori, dhe ndihmësi i presidentit Nishani, Flamur Gashi.

ILDKP shpjegon se “në përputhje me ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, nga verifikimi paraprak evidentoi 28 deklarues, të cilët nuk kanë përmbushur këtë detyrim ligjor. Për rrjedhojë, ndaj këtyre subjekteve deklarues, shkelës të detyrimit për deklarim pasurie, Inspektori i Përgjithshëm ka aplikuar masën administrative me gjobë në vlerën 100.000 (njëqind mijë) lekë”.

Gjithashtu, ILDKP u bën thirrje subjekteve që nuk kanë kryer në kohë deklarimin e pasurisë për ta përmbushur atë pa vonesë, pasi mosdeklarimi apo refuzimi për të deklaruar interesat private sjell humbje të funksionit publik dhe ndjekje penale, në përputhje me nenin 257/a të Kodit Penal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat