PE, zhgënjim nga politika e Tiranës

Shqipëria

PE, zhgënjim nga politika e Tiranës

Më: 19 prill 2015 Në ora: 19:27

Delegacioni i Parlamentit Europian që vizitoi Tiranën në mars, raportoi dje para Komitetit të Jashtëm për rezultatet e takimit të 8 ndërparlamentar të stabilizim-asocimit. Paaftësia e klasës politike për dialog dhe kultura për të mos dëgjuar folësin, spikatën përshkrimet e eurodeputetëve mbi kolegët e tyre shqiptarë dhe kryetarja Minika Macovei tha se do të propozojë një draft-rregullore për procedurën e takimeve të tilla që të jenë më produktive në të ardhmen.

Gjatë fjalës së saj, teksa renditi disa prej arritjeve të qeverisë shqiptare, kryetarja e delegacionit SAPC PE-Shqipëri, theksoi se klima politike është mjaft e tensionuar dhe është përkeqësuar edhe më shumë për shkak të skandaleve të fundit. Për Macovein, problemi qëndron te fakti se askush nuk ka besim te Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla. “I referohem një muaji e gjysmë më parë. Dëgjova gjithë ambasadorët, përfshirë atë të BE-së, që thoshin se as ata dhe as populli s’ka shumë besim te Prokurori i Përgjithshëm, i cili është i njëjti që prej regjimit të mëparshëm dhe është mbajtur aty, por ky ishte perceptimi i të gjithëve mbi të, përfshirë ambasadorët. Pra, ka njëfarë progresi në luftën kundër korrupsionit, unë do ta quaja të kufizuar, në reformën e gjyqësorit, sërish e kufizuar, si dhe në administratë”- tha ajo.

Ndërsa në lidhje me takimin e tetë ndërparlamentar të Komitetit të MSA-së, i cili u mbyll me polemika dhe pa një dokument të përbashkët, për shkak të refuzimit të përfaqësuesve të opozitës shqiptare, Macovei tha se duhet të bëhen rregulla për procedurën, sepse për momentin nuk mund të miratohen rekomandime që votohen nga shumica dërrmuese, sepse ato mund të kontestohen në çdo çast. “Kështu që do të sugjeroj rregulla që më pas duhen miratuar në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asocimit me Shqipërinë. Komiteti i Stabilizim-Asocimit PE-Shqipëri nuk ka rregulla për procedurën. Kam për qëllim t’ju propozoj një draft për ta miratuar, sepse e pashë çfarë ndodhi pa një rregullore të tillë. Askush nuk respektoi kohën. Askush nuk respektonte folësin. Kur fjala i jepej dikujt, flisnin dhe 5-6 të tjerë njëkohësisht”- tha ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat