Zbardhet skema e re e OSHEE, falet 50% kamata për pagesat e menjëhershme

Shqipëria

Zbardhet skema e re e OSHEE, falet 50% kamata për pagesat e menjëhershme

Më: 19 prill 2015 Në ora: 16:40

OSHEE shpalli zyrtarisht të shtunën skemën e re për ripagimin e detyrimeve të krijuara deri më 31 dhjetor 2014 nga konsumatorët familjarë. Pas mbarimit të afatit të vendosur për lidhjen e kontratave, më 31 mars 2015, OSHEE paralajmëroi këtë skemë të re, e cila mund të aplikohet nga dita e hënë. Skema përfshin katër kategori dhe ka si risi uljen e kamatëvonesës në masën 50%, jo në fillim, por në këstin e fundit.

Skema 1

Sipas kësaj skeme, ofrohet pagesë me gjashtë këste e detyrimit për kontratë që arrin shumën deri në 100 mijë lekë. Në rast se abonenti zgjedh ta paguajë detyrimin në 1/3 e afatit (pra, brenda dy muajve nga gjashtë që është gjithsej skema), atëherë i reduktohet me 50% kamatëvonesa. Zbritja e kamatëvonesës realizohet me këstin e fundit.

Skema 2

OSHEE ofron pagesë me 12 këste e detyrimit për kontratë që arrin shumën deri në 300 mijë lekë. Në rast se abonenti zgjedh të paguajë detyrimin me afat deri në 1/4 e tij (pra brenda tre muajve), u ulet me 50% kamatëvonesa, por me kushtin që zbritja e kamatëvonesës të realizohet me këstin e fundit.

Skema 3

Pagesa e detyrimit bëhet me 24 këste për kontrata ku borxhi arrin shumën 600 mijë lekë. Në rast se abonenti zgjedh që ta paguajë detyrimin me afat deri në 1/6 e tij (pra brenda katër muajve), u ulet me 50% kamatëvonesa. Edhe në këtë rast, zbritja e kamatëvonesës realizohet në fund.

Skema 4

Ofrohet pagesë me 36 këste e detyrimit për kontratë që tejkalon shumën 600 mijë lekë. Në rast se abonenti zgjedh ta paguajë detyrimin me afat deri në 1/8 e tij (brenda pesë muajve), përfiton ulje me 50% të kamatëvonesës, e cila zbritet me këstin e fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat