Kosova e nis fushatën në bastionin e PS-së

Shqipëria

Kosova e nis fushatën në bastionin e PS-së

Më: 19 prill 2015 Në ora: 13:40

Halim Kosova nuk humbet aspak kohë, por fushatën zgjedhore për Bashkinë e Tiranës zgjedh që ta nisë në bastionet e së majtës në kryeqytet. Gjatë ditës së djeshme, që është dhe dita e dytë si kandidat zyrtar i PD-së, Kosova ka nisur takimet me anëtarët dhe simpatizantët e PD-së në njësinë 5 të kryeqytetit. Më pas ai ka zhvilluar takime dhe në njësitë vendore numër 1 dhe 8. Zyrtarizimi i kandidaturës se Kosovës ka vënë në lëvizje të gjitha strukturat e PD-së, të cilat janë angazhuar për të organizuar të gjitha takimet që kandidati i opozitës do të zhvillojë në të gjithë territorin e Bashkisë së Tiranës, të cilat janë çelur nga pasditja e së premtes, ku Kosova u ndal në njësinë 9 të Tiranës. Mësohet se edhe gjatë javës së ardhshme është menduar që fushata e Halim Kosovës të përqendrohet te takimet me strukturat e partisë, e deri në fillimin zyrtar të fushatës elektorale pas rreth një muaji, Kosova do të zhvillojë dëgjesa me qytetarët, për të dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre në mënyrë që shtylla kryesore e betejës së Kosovës për Tiranën, të jetë sa më pranë këtyre shqetësimeve. Gjatë takimit që ai zhvilloi në degën e PD-së në njësinë 8, Kosova shoqërohej edhe nga disa prej deputetëve të PD-së në Tiranë, si Jorida Tabaku, apo edhe vetë kryetari i grupit parlamentar demokrat, njëherësh dhe nënkryetar i PD-së, Edi Paloka, si dhe vetë kryetarët e degëve të PD-së së kryeqytetit. Ndërsa në takimin në njësinë 5, ai do të shoqërohej nga deputetët Kastriot Islami dhe Genc Ruli. Në ditën e tij të parë, Halim Kosova do të pritej në një takim në selinë e PD-së nga kryetari Lulzim Basha. Por ardhja e Halim Kosovës në selinë e PD është shoqëruar me takime e urime nga mbështetësit e PD-së, të cilët qëndronin në oborrin e selisë më të madhe të opozitës. Kandidati zyrtar i PD-së, Halim Kosova, i cili do të përballet me Erion Veliajn e PS-së, për të marrë postin që aktualisht mbahet nga kryedemokrati Basha, arriti të triumfojë mes deputetëve Jorida Tabaku, Gerti Bogdani dhe urbanistit Besnik Aliaj. Tashmë atij i duhet të lërë mandatin e deputetit në mënyrë që gara e tij të jetë e rregullt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat