Veliaj takim me Majkon e Hajdaragën: Për historinë dje dhe fitoren sot

Shqipëria

Veliaj takim me Majkon e Hajdaragën: Për historinë dje dhe fitoren sot

Më: 19 prill 2015 Në ora: 11:04

Kandidati i përbashkët i mazhorancës qeverisëse për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj ka nisur konsultat për organizimin e fushatës elektorale.

Në rrjetin social ‘Facebook”, Veliaj bën të ditur takimin e zhvilluar sot me deputetin socialist Pandeli Majko dhe me ish-ministrin e Mbrojtjes, Luan Hajdaraga.

“Asgjë nuk vjen vetiu, gjithçka ka një histori kontributesh e pune! Me Pandin dhe Luanin për historinë dje dhe fitoren sot!”, shkruan Veliaj në rrjetin social.

Ministër i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Veliaj u shpall dy ditë më parë kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës.

Një ditë më parë, në një prononcim për mediat, Kryeparlamentari, njëherësh Lideri i LSI-së Ilir Meta vlerësoi kandidaturën e Veliajt si “gjithëpërfshirëse dhe të spikatur”.

“Kandidatura e z. Veliaj është mjaft e spikatur dhe ajo meriton gjithë mbështetjen tonë. Koalicioni ynë është gjithpërfshirës dhe mjaft i gjerë dhe kandidati i këtij koalicioni për Tiranën nuk mund të jetë ndryshe veçse gjithëpërfshirës”, u shpreh kreu i Kuvendit, në një prononcim për gazetarët. Kryeparlamentari shprehu po ashtu konsideratë për kandidatin e opozitës, Halim Kosova, ndërsa vlerësoi se përfshirja e kandidatëve të pavarur në zgjedhjet e 21 qershorit e bën garën më demokratike.

Pasi zyrtarizimit të kandidaturës së tij nga Kryeministri dhe Kreu i PS-së, Edi Rama për bashkinë e kryeqytetit, Erion Veliaj deklaroi se “bashkë me ju do jap gjithçka për besimin që investoi tek unë PS & Aleanca jonë. Mezi pres të bëjmë një fushatë qytetare e pozitive e më pas t’i përvishemi punës non-stop për të kapur kohën e humbur të Tiranës tonë”.

Në rrjetin social “Facebook” Veliaj u shpreh se “Tiranën do ta rilindim në kohë rekord, bashkinë do ta rikthejme në punë 24/7!‎Bashkë me punë, qytetari dhe energjinë më të mirë të Kryeqytetit të gjithë Shqiptarëve”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat