Zbardhen përgjimet që çuan në arrestimin e zyrtarëve të Lojërave të Fatit, të cilët dyshohen se në këmbim të ryshfeteve që kanë marrë, kanë favorizuar menaxherë të kazinove dhe pikave të ndryshme të lotove. “Tregtarët duhej të respektojnë inspektorët” është një nga kodet që është përdorur gjatë komunikimeve mes menaxherëve të lojërave të fatit dhe zyrtarëve të tatimeve, të cilët ishin nën hetim, kod i cili ka ngjallur dyshime të forta te prokuroria se në këtë rast bëhej fjalë për një veprimtari të paligjshme.
Prokuroria e Tiranës ka arritur të zbulojë skemën sipas të cilës dyshohej se vepronin inspektorët e tatimeve dhe ata të lojërave të fatit gjatë kontrolleve që ushtronin në subjekte të ndryshme.
Fillimisht hetimet që kanë nisur që prej nëntorit të vitit të kaluar, përfshinë vetëm një numër të vogël të inspektorëve të tatimeve, të cilët dyshohej se kryenin veprën penale të “korrupsionit pasiv” dhe “shpërdorimit të detyrës”, në rastet kur ushtronin kontrolle në subjekte të ndryshme tregtare. Nga hetimet fillestare rezultonte se punonjësit e tatimeve nën hetim komunikonin për veprime antiligjore, ndër të tjerë, edhe me menaxherin e një kompanie bastesh, Kreshnik Kasaj, i cili u arrestua. Duke u thelluar më tej hetimi, nga ana e prokurorisë u arrit të krijoheshin dyshime se në veprime korruptive dhe antiligjore ishin të përfshirë edhe disa inspektorë të Njësive të Lojërave të Fatit, të cilët rezulton se kanë konsumuar elementët e “shpërdorimit të detyrës” gjatë kontrolleve në lokale, magazine, objekte shërbimi, pika shumice ushqimore, elektroshtëpiake, detergjentesh, në zona të ndryshme të vendit.
Nga përgjimet rezulton se inspektorët tatimorë, tashmë të arrestuar, shfrytëzonin në zona të ndryshme njohje me persona të veçantë, të cilët i njoftonin për kontrollet “e befasishme”.