Rregullorja e KQZ-së, edhe nënkryetari ka të drejtë për firmë

Shqipëria

Rregullorja e KQZ-së, edhe nënkryetari ka të drejtë për firmë

Më: 19 prill 2015 Në ora: 09:29

Nënkryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i njihet e drejta për kudrafirmë për çdo vendim administrativ të marrë nga kryetari i KQZ-së. Ky është një nga përcaktimet e rëndësishme të rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve” i cili është miratuar pak ditë më parë, me të 7 votat e anëtarëve të KQZ-së. Ka qenë pikërisht kjo pikë, një nga çështjet kryesore që ka bërë të pamundur miratimin e këtij dokumenti që nga vitit 2008.

Në mars të vitin 2013, KQZ-ja iu rikthye diskutimeve për miratimin e kësaj rregulloreje por edhe pas orë debatesh dhe disa mbledhjesh me radhë, anëtarët nuk mundën të gjenin gjuhën e përbashkët pikërisht për kompetencat e nënkryetarit. Debati ishte pas propozimit të bëra nga pakica në komision, që edhe nënkryetari të kishte të drejtën e kuntrafirmës. Por ky propozim u quajt nga kryetarja Lefteri Luzi, si tentativë për të dubluar kompetencat e saj, duke e bërë institucionin me bashkëkryetarë. Ndërsa, sipas Denar Bibës, i cili edhe në 2013-ën mbante postin e nënkryetarit të KQZ-së, kjo ishte një e drejtë legjitime.

Debatet mes palëve bënë të pamundur që të miratonin këtë dokument të rëndësishëm për vetë funksionimin e KQZ-së, edhe pse miratimi i saj ishte një kërkesë e përsëritur nga vëzhguesit e OSBE/ ODIHR dhe nga faktori ndërkombëtar. Por duket se tashmë kryetarja Lefteri Luzi, nënkryetari Denar Biba por dhe pesë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë mundur të gjejnë gjuhën e përbashkët duke e miratuar rregulloren me 7 vota. Vendim ky i ardhur pas një konsultimi të gjerë me përfaqësuesit e partive politike parlamentare dhe ekspertëve të Këshillit të Evropës dhe OSBE-së.

Në nenin 4 të rregullores me 43 nene thuhet se: “1. Kryetari i KQZsë ka këto kompetenca: a) drejton mbledhjet e KQZ-së dhe përfaqëson KQZ në marrëdhënie me institucionet e tjera; b) kryen funksionet e drejtuesit administrativ të institucionit. Në zbatim të kompetencave, sipas kësaj shkronje, Kryetari i KQZ-së nxjerr urdhra të brendshëm vetëm në bazë dhe për zbatim të vendimeve të KQZ-së. 2. Zëvendëskryetari i KQZ-së kryen detyrat e Kryetarit në mungesë të tij”. Ndërsa si pikë 3 e po këtij neni shtohet se: “Kryetari i ushtron kompetencat në bazë të shkronjës “a” të pikës 1 të këtij neni së bashku me Zëvendëskryetarin. Të gjitha aktet e nxjerra në bazë të shkronjës “b” të pikës 1 të këtij neni nënshkruhen edhe nga Zëvendëskryetari, përndryshe janë të pavlefshme. Bëjnë përjashtim rastet kur kryetari ose zëvendëskryetari nuk ushtrojnë funksionet për arsye objektive. Do të konsiderohen të tilla mungesa për shkaqe të justifikuara, bojkoti për të marrë pjesë në mbledhjet dhe veprimtarinë e KQZ-së, apo refuzimi i paargumentuar ligjërisht, për të nënshkruar aktet e nxjerra në bazë të shkronjës “b” të pikës 1 të këtij neni”.

Rregullorja përcakton edhe të drejtat dhe detyrimet e anëtarit të KQZ-së; rregullimin e marrëdhënieve të administratës me anëtarët e KQZ-së; procedurat për thirrjen, njoftimin dhe zhvillimin e mbledhjeve të KQZ-së gjatë periudhës zgjedhore dhe asaj jozgjedhore; procedurat e vendimmarrjes në KQZ-së; të drejtat dhe detyrimet e përfaqësuesve të subjekteve zgjedhore në KQZ; procedurat e vendimmarrjes për administrimin e financimeve të aktivitetit të KQZ-së, si edhe rregullat mbi krijimin, administrimin dhe ruajtjen e dokumentacionit në KQZ.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat