​Patentat e reja në Shqipëri, ekspertët: Problem impelmentimi

Shqipëria

​Patentat e reja në Shqipëri, ekspertët: Problem impelmentimi

Më: 18 prill 2015 Në ora: 21:04

Shqipëria do të aplikojë një sistem të ri të patentave për automjetet, atë të pikëzimit.

Kjo do të thotë se çdo drejtues mjeti tashmë do të ketë 20 pikë në patentën e tij dhe këto pikë janë të vlefshme për një vit.

Në rast se shkeljet e kalojnë këtë masë atëherë tërhiqet patenta, deri në vitin pasardhës.

Madje drejtuesi i mjetit që i tejkalon shkeljet duhet ti nënshtrohet edhe një testimi të ri teorik, për të matur njohuritë e tij mbi rregullat e qarkullimit rrugor.

Megjithëse ky është një sistem evropian, sërish ekspertët në Shqipëri janë skeptikë, dhe mendojnë se nuk do të funksionojë për aq kohë sa ne si vend nuk kemi infrastrukturën e duhur rrugore dhe sinjalistikën e rregullt.

Në rrugët shqiptare, mungojnë shumë elementë të qarkullimit rrugor, që nga semaforët e deri te kamerat, me mungesën e të cilave nuk mund të vërtetohet shkelja që bën qytetari.

Artur Sulçe, ekspert në fushën e rregullave të qarkullimit rrugor, thotë se ky ndryshim do të të sjellë uljen e numrit të aksidenteve, por do të kemi probleme me zbatimin e tij, pasi Shqipërisë i mungon infrastruktura dhe sinjalistika e duhur rrugore.

Sulçe: E shoh të pazbatueshëm sistemin e ri të patentave me pikë

'Në vendet ku është zbatuar për herë të parë siç është Italia në 2002-in numri i aksidenteve u ul me 20 %, brenda vitit, si funksion i këtij ndryshimi. Pra risia e vendosjes së kësaj normalisht do sjell patjetër uljen e shkeljeve nga ana e përdoruesve të rrugës, drejtuesve të automjeteve. Problemi teknik i implementimit tek ne do jetë i madh për arsye se ne na mungon sinjalistika horizontale dhe vertikale, atëherë si do të themi ne që kaloji në krahun tjetër apo ishte në pozicionn e vet (makina). Pra vërtetimi i shkeljes është paksa i vështirë sepse edhe elemente të tjerë të infrastrukturës rrugore nuk janë në atë nivel që ne po çojmë konstatimin e shkeljes dhe penalitetin", tha Artur Sulçe.

Nisur nga këto problematika Sulçe shton se e gjitha kjo lë vend për abuzime, ku polici rrugor nuk e vërteton dot shkeljen dhe mund t'ia faturojë dikujt që s'ka faj.

Në këtë aspekt edhe sa i përket gjobave të reja, që hyn në fuqi këtë vit me ndryshimet e Kodit Rrugor, Sulçe thotë se shumica kanë përfunduar në Gjykatën Administrative, për shkak se nuk mund të dokumentohen.

Sulçe: Shumica e gjobave kanë përfunduar në Gjykatën Administrative

"Gjobat e reja, penalitetet e reja, porcesverbalet e konstatimit, kanë filluar të aplikohen veçse ato që lidhen me semaforin apo me shkelje të dyshimta. Vërtetimi i tyre është shumë i vështirë, nga ai që konstaton këtë shkelje, në raport me qytetarin ose përdoruesin e rrugës. Pra dhe një herë vërtetimi i shkeljes nga organi procedues nuk është i plotë. Një pjesë e semaforëve të qytetit të Tiranës janë pa kamera atëherë me çfarë do ta vërtetoj punonte apo nuk punonte? Përveç bashkëpunimit, duhet të rritet dhe niveli i besimit reciprok që ka dhe përdoruesi së bashku me policinë rrugore që është. Në të tilla raste kur prova (gjoba, shkelja) nuk vërtetohet çështja shkon në Gjykatën Administrative dhe sipas ligjit administrativ është në bindjen e brendshme të gjyqtarit që do të besojë policin rrugor apo qytetarin", tha ai.

Sistemi i ri i patentave me pikë do të nis të aplikohet pas datës 22 prill, sipas udhëzimit të Ministrisë së Transporteve.

Në total parshikohen 43 shkelje me 3 deri në 10 pikë secila.

Kështu në rastet e tejkalimit të shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë, drejtuesi i mjetit ndëshkohet me heqjen e 3 pikëve nga patenta.

Nëse është përsëritës i kësaj shkeljeje, ndëshkimi i parashikuar është minus 8 pikë.

Në rastin kur numri i pikëve bëhet zero, drejtuesi i mjetit paraqitet para Komisionit të Disiplinës në Policinë Rrugore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat