“Takim unifikues mes kandidatëve të PS-së dhe LSI-së”

Shqipëria

“Takim unifikues mes kandidatëve të PS-së dhe LSI-së”

Më: 18 prill 2015 Në ora: 12:37

Kandidatët e Partisë Socialiste dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet lokale të 21 qershorit janë takuar këtë të shtunë, në sallën “Black Box” të Akademisë së Arteve, në Tiranë.

Në takimin e zhvilluar me dyer të mbyllura, ishin të pranishëm edhe dy kryetarët, Edi Rama dhe Ilir Meta, si dhe të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar, përveç atij të Jashtëm i cili ndodhet në ShBA.

Në përfundim të mbledhjes, deputeti Taulant Balla tha për mediat se 61 kandidatët e zgjedhur nga e majta do të jenë fitues në zgjedhjet e 21 qershorit, duke vlerësuar përzgjedhjen e tyre.

Ndërsa zëvendëskryeministri Niko Peleshi theksoi se në takim nuk është diskutuar për detaje, por ai nënvizoi se synim mbetet zhvillimi i një fushate me tone pozitive dhe qytetare.

"Ky ishte takimi i parë unifikues i 61 kandidatëve tanë për zgjedhjet. Kandidaturat e koalicionit të zgjeruar do të futen në fushatë me një frymë pozitive, larg toneve të ashpra politike, por duke bërë apel për transformim urban të bashkive", tha zëvendëskryeministri Niko Peleshi.

Ai tha gjithashtu se do t’i përgjigjen pozitivisht çfarëdo gjuhe që do të përdorë kundërshtari politik gjatë fushatës elektorale për bashkinë e kryeqytetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat