Shqiptarët po emigrojnë si në vitet ‘90. Policia forcon kontrollet në kufi

Shqipëria

Shqiptarët po emigrojnë si në vitet ‘90. Policia forcon kontrollet në kufi

Më: 18 prill 2015 Në ora: 10:48

Një urdhër i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i mbërritur në të gjitha drejtoritë e policisë në qarqe, jep alarmin se Shqipëria rrezikon liberalizimin e vizave. Numri i azilkërkuesve po rritet me vrull muajt e fundit. Mbi 3 mijë shqiptarë kanë aplikuar vetëm në muajin mars në Gjermani për azil, sipas një raporti të Ministrisë së Brendshme gjermane: dyfish më shumë se në janar të këtij viti. 6500 është numri i azilërkuesve shqiptarë në 3 muajt e parë të këtij viti në këtë vend. 1648 azilkërkues u regjistruan në janar, 1794 në shkurt dhe dhe 3200 në mars. Emigrimi po rikthehet si fenomen shqetësues. “Emigracion si në vitet ‘90” shkruan gazeta Shqip, që u referohet edhe disa shifrave të INSTAT.

Në vitin 2014, sipas Institutit të Statistikave janë larguar nga Shqipëria 46 413 persona. 52 % e tyre janë meshkuj. 28 367 emigrantë u kthyen nga vendet ku punonin. Emigracioni neto vlerësohet në 18 046. Të larguarit nga Shqipëria, në raport me të kthyerit, janë 2 mijë më shumë se në vitin 2013.

Statistikat në njërën anë dhe ajo çfarë po ndodh në realitet i kanë shqetësuar autoritetet. Policia po përpiqet në të gjitha format t’i ndalojë shqiptarët të emigrojnë. Mbi 500 vetë u ndaluan vetëm për një natë në pikat e kalimit kufitar, sipas të dhënave të policisë së shtetit.

Por fluksi vijon. Qarkorja e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë i vë në dijeni Drejtoritë e Qarqeve se ky emigracion po organizohet nga agjenci udhëtimi. Sipas qarkores, disa individë të lidhur me këto agjenci po propagandojnë që në vendet e BE –së pranohen kërkesa për azil.

Nga Kukësi ka disa javë që janë nisur dhjetëra familje drejt Gjermanisë. Të gjithë banorët e një pallati i kyçën dyert dhe morën rrugën e emigracionit. Ishin të gjithë të papunë.

Në Vlorë pak kohë më parë rreth 600 vetë u dyndën në port për të udhëtuar sërish drejt Gjermanisë.

Autoritetet gjermane e kanë bërë të qartë disa herë se nuk pranohen kërkesa për azil. Ambasadori gjerman e ka theksuar këtë disa herë. Dy ditë më parë ai bëri një apel publik për politikën, që të rikthejë shpresën tek qytetarët për të frenuar eksodin.

Në zyrat e ALEAT ka një rritje kërkesash për t’u pasjisur me pasaporta biometrike. Burime të lapsi.al thonë se janë kryesisht të rinj, që nuk kanë pasur më parë dokumenta identifikimi e që kërkojnë “lejen” për të udhëtuar pa viza në Europë, në kërkim të një vendi pune.

Udhëtimi pa viza, sipas kushteve të liberalizimit, nuk përshin aplikimet për punë apo për azil. Vizat janë vetëm për qëllime turistike. Shumë shqiptarë nuk po i respektojnë afatet. Një numër i madh u kthye muajin e kaluar në aeroportin e Rinasit nga Brukseli.

Në pikat e kalimit kufitar policia po kontrollon me intësi dokumentacionin. Dy policë u arrestuan se lejuan të disa qytetarë të kalonin pa dokumentat e duhura. Ky shtrëngim masash i ka detyruar qytetarët që të plotësojnë dokumentacionin që u heq telashin e kalimit ne kufi dhe nuk e ka frenuar fluksin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat