Dhuna mes deputetëve, pyeten dëshmitarët

Shqipëria

Dhuna mes deputetëve, pyeten dëshmitarët

Më: 18 prill 2015 Në ora: 10:00

Po shkon drejt përfundimit gjyqi ndaj deputetëve socialistë Arben Ndoka e Pjerin Ndreu në Gjykatën e Lartë, në lidhje me dhunën e ushtruar në Kuvend ndaj deputetit demokrat Gent Strazimiri, në ambientet e Kuvendit. Në seancën e kësaj të premteje u mbyll procesi i administrimit të provave. Ndërkohë u pyetën edhe tre prej dëshmitarëve, deputeti Paulin Stërkaj dhe dy nënoficerët e Policisë Parlamentare, Besmir Ndreu dhe Giseldo Lile. Avokatët mbrojtës kërkuan që dëshmitarja Olta Xhaçka, për shkak të lejes së lindjes, të mos thirret për të dëshmuar. Më 8 maj, dy të pandehurit në akuzë për dhunën ndaj kolegut të tyre do të japin dëshmitë e fundit me shkrim.

Për konfliktin fizik ndërmjet deputetëve Pjerin Ndreu dhe demokratit Gent Strazimiri në korridorin e Parlamentit në seancën e 10 korrikut 2014, avokati i Ndreut, Baftjar Rusi, tha se do të kërkojë pafajësi, pasi akuza e ngritur nga prokuroria “goditje për shkak të detyrës” nuk mund të provohet. Avokati kërkoi nga pala akuzuese që të bënte një selektim të fjalës së Strazimirit mbajtur në seancën plenare të 10 korrikut, për të cilën pretendon se është goditur nga deputetët Ndreu dhe Ndoka, për shkak të detyrës. Kjo kërkesë nuk u pranua nga gjykata.

Në seancë dëshmoi edhe deputeti i Partisë Socialiste, Paulin Stërkaj, i cili deklaroi se gjuha e përdorur mes deputetëve në Parlament nuk është aspak etike. “Fjalët nuk dëgjohen në media, mirëpo përballë deputetëve të forcave të ndryshme politike, dëgjon fjalë që as në një kamp riedukimi nuk i dëgjon”, u shpreh ai. Por shtoi se kohët e fundit, ky nivel i ulët komunikimi me fyerje e sharja ka ardhur duke u reduktuar. Ndërsa kolegun Strazimiri ai e quajti provokator, dhe që jo pak herë krijon insinuata në seancë. Ndërsa dy nënoficerët e Policisë Parlamentare u shprehën se në momentin e konfliktit nuk ishin në vendngjarje.

Gjykata e Lartë vendosi 8 majin si ditën ku të pandehurit do të bëjnë deklarimet përfundimtare dhe prokuroria do të japë pretencën e saj. Ndoka dhe Ndreu akuzohen për dhunën ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Gent Strazimi, në korridorin e Kuvendit, ndërsa në sallë zhvillohej seanca, ku kamerat e sigurisë filmuan momentin e dhunës. Deputetët e akuzuar dhe avokatët e tyre mbrojtës mohojnë që ky incident të konsiderohet “goditje për shkak të detyrues”. Ata pretendojnë për pafajësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat