Nishani, “luftë” qeverisë, shpall konkursin për vakancën në Gjykatën e Lartë

Shqipëria

Nishani, “luftë” qeverisë, shpall konkursin për vakancën në Gjykatën e Lartë

Më: 18 prill 2015 Në ora: 08:15

Parlamenti në seancën e tij të datës 9 prill rrëzoi propozimet e radhës së Kreut të Shtetit, Bujar Nishani, për plotësimin e vakancës në Gjykatën e Lartë. Por duket se Presidenti Nishani nuk pajtohet me vendimet e mazhorancës, duke rihapur konkursin për plotësimin e dy vendeve vakante në Gjykatën e Lartë.

Sipas njoftimit të dalë nga Presidenca, si pasojë e mospëlqimit nga ana e Kuvendit për dy propozimet e Presidentit, ky i fundit rihap konkursin për zgjedhjen e dy emrave të rinj. Afati për të dorëzuar kërkesat fillon më 20 prill dhe përfundon më 26 prill. “Si rrjedhojë e mosdhënies së pëlqimit nga Kuvendi për dy kandidaturat e emëruara nga Presidenti i Republikës, njoftohet vijimin i procedurave ligjore për emërimin e dy anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë.

Në vijim të procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve për dy vende vakante në Gjykatën e Lartë, ftohen subjektet e interesuara të paraqesin kërkesën për t’u përzgjedhur si anëtarë të Gjykatës së Lartë. Afati për të paraqitur kërkesat për kandidatët fillon ditën e hënë datë 20 prill 2015 dhe përfundon ditën e diel, datë 26 prill 2015”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ndërsa të gjithë të interesuarit duhet të dorëzojnë këto dokumente: kërkesë me shkrim, fotokopje të dëshmisë së arsimit të lartë juridik, diplomë e Nivelit të Dytë (e noterizuar), përmbledhje të karrierës profesionale e shoqëruar me vërtetimet e lëshuara për çdo rast nga institucioni ose organi ku ka ushtruar detyrën, ose nga Dhomat Kombëtare të Avokatisë, Noterisë, Përmbarimit, etj, si edhe një fotokopje të dokumentit të identifikimit (e noterizuar).

Mazhoranca ka rrëzuar disa herë propozimet e Nishanit për Gjykatën e Lartë me arsyetimin se në procesin e përzgjedhjes duhet të integrohet edhe një grup ekspertësh të qeverisë, por kjo gjë kundërshtohet nga Nishani pasi sipas tij me këtë gjë ndërhyhet në kompetencat e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat