Naço: Shqipëria nuk do të bëhet strehë e terroristëve

Shqipëria

Naço: Shqipëria nuk do të bëhet strehë e terroristëve

Më: 17 prill 2015 Në ora: 22:56

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço mori pjesë në punimet e Ministerialit të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, të zhvilluar në Budva të Malit të Zi, një iniciativë e përbashkët mes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Sllovenisë, ku u diskutuan çështje të ndjeshme si lufta ndaj terrorizmit dhe parandalimi i financimit të tij, trafikimi i armëve etj.

Naço deklaroi se Shqipëria është e gatshme për të bashkëpunuar me partnerët e saj strategjikë dhe vendet fqinje, kur është fjala për nisma dhe angazhime të përbashkëta rajonale, me qëllim kryesor ruajtjen e paqes dhe sigurisë rajonale dhe globale.

Ministri evidentoi masat e marra në luftën kundër fenomenit të terrorizmit. Ai theksoi se qeveria shqiptare i qëndron të njëjtit vullnet të shprehur tashmë se, Shqipëria nuk mund dhe nuk do të bëhet strehë e individëve që ndërmarrin veprime direkte apo mbështesin aktet terroriste.

“Kërcënimi nga terrorizmi, sidomos ai me bazë fetare, është real dhe strukturat tona, duhet të jenë në gatishmëri pro-aktive për të neutralizuar çdo shfaqje apo tendencë, me qëllim parësor parandalimin e akteve terroriste. Në këtë kuadër besoj se të gjithë jemi të mendimit që është e nevojshme marrja e masave legjislative të shoqëruara me ngritjen dhe mirëfunksionimin e strukturave të posaçme dhe sigurimi i kapaciteteve apo burimeve njerëzore të nevojshme”, u shpreh Naço.

Në vijim të fjalës së tij, kreu i drejtësisë shqiptare bëri një prezantim të masave legjislative të ndërmarra nga qeveria shqiptare, si dhe parashtroi risitë që sjellin disa nga ligjet e miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit.

“Si rezultat i ndryshimeve apo plotësimeve ligjore që kemi realizuar, mund të themi se Shqipëria ka tashmë legjislacionin e nevojshëm në përputhje me angazhimet ndërkombëtare dhe detyrime të partneritetit të saj. Krahas masave legjislative autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë hapa të qenësishme për krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër terrorizmit, duke vlerësuar riskun lidhur me financimin e terrorizmit si dhe duke koordinuar bashkëpunimin ndërinstitucional”, theksoi ministri.

Në përfundim të fjalës së tij, Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço u shpreh se prosperiteti i shoqërisë është i lidhur ngushtësisht me sigurinë, një siguri e cila vazhdimisht po kërcënohet nga krimi dhe terrorizmi, që nuk njohin kufij e që janë shndërruar në një sëmundje globale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat