Zhvillohet takimi i dytë i grupit të punës së SEECP

Shqipëria

Zhvillohet takimi i dytë i grupit të punës së SEECP

Më: 17 prill 2015 Në ora: 18:02

Ditën e sotme në Tiranë u zhvillua takimi i dytë i grupit të punës së Asamblesë Parlamentare të SEECP (Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore).

Në takimin e sotëm morën pjesë përfaqësuesit e vendeve anëtare të kësaj asambleje si: Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Turqia dhe Kosova.

I pranishëm nga pala shqiptare ishte deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, në cilësinë e kryetarit të Delegacionit Shqiptar në Asamblenë Parlamentare të SEECP-së.

Balla shprehu bindje se në fund të këtij takimi, grupi i punës do të bjerë dakord për propozimet, në mënyrë që të mund të paraqiten këto dy dokumente për ratifikimin gjatë sesionit plenar të Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, që do të mbahet në Tiranë në datat 22-23 maj 2015.

Gjatë takimit u diskutuan rezoluta e raporte nga tre komisione të përgjithshme të asamblesë që kanë në fokus sigurinë, mbrojtjen e kufijve, luftën kundër terrorizmit, mbrojtjen e fëmijëve si dhe projektet e përbashkëta rajonale në fushën e energjisë dhe infrastrukturës.

“Mendoj se ne të gjithë kemi vullnetin e duhur për ta realizuar këtë dhe ne e dimë që kur ka vullnet, ka gjithmonë një mënyrë për ta arritur”, tha Balla.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ushtron mandatin si kryesues i Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, gjatë një periudhe vendimtare për organizatën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat