PS firmos koalicionin me FRD, Rama: Aleati nuk kërkoi mbështetje për kandidatët e saj

Shqipëria

PS firmos koalicionin me FRD, Rama: Aleati nuk kërkoi mbështetje për kandidatët e saj

Më: 17 prill 2015 Në ora: 17:13

(E plotësuar) Partia Socialiste ka firmosur koalicionin me Frymën e Re Demokratike. Kryeministri Rama tha se kjo është një marrëveshje e veçante, pasi ndryshe nga partitë e tjera, FRD nuk ka kërkuar ndonjë mbështetje për kandidaturat e saj apo në ndonjë njësi vendore. “Më lejoni që të shpreh kënaqësinë ë veçantë për arritjen e kësaj marrëveshje. Kanë qenë negociata të veçanta, sepse nuk është kërkuar ndonjë mbështetje për kandidaturën e FRD-së, në ndonjë njësi vendore, por ka shprehur interesimin për të bashkëpunuar së bashku, duke ruajtur identitetin e palëve dhe duke u përpjekur modestish për të ndërtuar një shembull të ri emancipues politik.

Kjo ka qenë qasja shumë interesante dhe konstruktive e FRD-së dhe e kemi vlerësuar maksimalisht këtë qasje që kjo parti jep përmes këtij koalicioni. Pra ne jemi të vetëdijshëm që FRD është një forcë në opozitë me qeverinë, në një opozitë të një natyre të veçantë dhe qytetare e shumë organizuese, por jemi të kënaqur që në këto zgjedhje do të jemi bashkë. Ndërkohë, kreu i FRD-së tha se pavarësisht se ka firmosur një marrëveshje me koalicionin e majtë, do të ruajë qëndrimin dhe filozofinë e një partie të djathtë. Sipas Bamir Topit, ka ardhur koha që të marrin fund konfliktet ekstreme të partive politike.

“Erdhëm në një përfundim pozitiv të negociatave, të cilat filluan të realizohen në vijmë të një ftese që erdhi nga Kryeministri. Kemi konfirmuar qëndrimin tonë dhe duhet thënë që këto janë zgjedhje vendore. Jemi lodhur me konfliktualitetin ekstrem të politikës. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi është në bazën e një vullneti politik dhe qytetare. Duam të japim potencialet tona intelektuale. Janë shumë të rëndësishëm profilet e kandidatëve, por shumë e rëndësishme është filozofia e administrimi të fateve të qyteteve”, tha Topi.

PS-FRD, pritet zyrtarizimi i marrëveshjes

Partia Socialiste dhe Fryma e Re Demokratike do të zyrtarizojnë sot marrëveshjen e koalicionit për zgjedhjet vendore të 21 qershorit.

Kryeministri dhe lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama do të zhvillojë një takim me kreun e Frymës së Re Demokratike, Bamir Topin në mjediset e hotel “Sheraton” në Tiranë.

Pak minuta më parë, kreu i FRD-së ka mbërritur në mjediset ku do të zhvillohet takimi. I pranishëm do të jetë edhe kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Takimi i parë midis liderëve të dy partive u zhvillua më 3 prill, pas ftesës së kryesocialistit Rama për t’u futur në bashkëbisedim me Frymën e Re Demokratike, një parti e qendrës së djathtë.

Pas takimit, Rama dhe Topi konfirmuan se do të ketë edhe raunde të tjerë bisedimesh, duke lënë të nënkuptohet se FRD do t’i bashkohet koalicionit qeverisës.

Ndërsa ditën e djeshme, koalicioni i majtë zyrtarizoi marrëveshjen e koalicionit për zgjedhjet vendore. Rreth 40 kryetarë partish e kanë firmosur marrëveshjen e koalicionit, gjatë takimit të zhvilluar në selinë rozë, duke garuar së bashku në 21 qershor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat